Mes zgjedhjes dhe kufizimit

Duke lexuar Yanis Varoufakis në një plazh në Greqi, mes burrave dhe grave që notonin, pushonin dhe thjesht jetonin pranë njëri-tjetrit, më mbeti në mendje ideja e dualitetit të gjërave. Siç shkruan ai duke iu referuar babait të tij, gjërat nuk janë gjithmonë bardh e zi. Drita mund të jetë njëkohësisht grimcë dhe valë. Teknologjia mund të jetë njëkohësisht çliruese dhe shtypëse. Makineria mund ta lehtësojë punën njerëzore, por edhe ta shndërrojë njeriun në rob të saj. Edhe hapësirat publike, në dukje të thjeshta, mund të kenë më shumë se një kuptim.

Këtë e mendova kur pashë reagimet për pishinën e Tetovës. Një kërkesë që disa orë në javë të rezervohen për gra u shndërrua menjëherë në betejë ideologjike. Për disa, kjo ishte shenjë e prapambetjes dhe segregimit. Për të tjerë, ishte një mundësi praktike që disa gra të mund ta frekuentojnë pishinën me më shumë rehati dhe privatësi. Si zakonisht, në vend që të ndalemi e të kuptojmë nuancat, nxituam të gjykojmë.

Por kjo çështje nuk është kaq e thjeshtë. Për disa gra, shkuarja në pishinë në një orar të rezervuar vetëm për gra mund të jetë e rëndësishme për shkak të bindjeve të tyre religjioze, kulturore, personale, apo thjesht për shkak të ndjesisë së privatësisë. Nëse ky orar u mundëson atyre ta përdorin një hapësirë publike që ndryshe nuk do ta përdornin, atëherë kjo nuk duhet të përqeshet. Nuk është krim që një grua të kërkojë privatësi. Nuk është prapambetje që ajo të zgjedhë një formë tjetër të pranisë në hapësirën publike.

Por kjo zgjedhje nuk guxon të bëhet kufizim për gra të tjera. Gratë që duan ta përdorin pishinën në orare të përgjithshme duhet të mund ta bëjnë këtë lirshëm, pa u ndier të gjykuara, të pasigurta apo të padëshiruara. Askush nuk guxon t’u thotë grave se “vendi i tyre” është vetëm në orarin e rezervuar. Një gjë është t’i ofrosh një mundësi shtesë një grupi grash. Krejt tjetër është të krijosh atmosferë ku gratë fillojnë të kuptojnë se prania e tyre në hapësira të përbashkëta është problem.

Prandaj, dallimi është thelbësor: nëse orari për gra është mundësi, ai mund të diskutohet si masë për qasje më të gjerë. Nëse ai bëhet normë shoqërore që i shtyn gratë jashtë hapësirave të përbashkëta, atëherë bëhet problem serioz i barazisë dhe lirisë.

Tetova nuk bëhet Teheran pse disa gra kërkojnë disa orë privatësi në pishinë. Tetova është plot gra që punojnë bashkë me burra, udhëheqin institucione, japin mësim, studiojnë, udhëtojnë, notojnë në plazhe e pishina të përbashkëta dhe jetojnë jetë moderne, me dinjitet dhe zgjedhje të lira. Krahasimet dramatike thonë më shumë për frikërat dhe paragjykimet e dikujt sesa për realitetin e këtij qyteti.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka arsye për kritikë. Ka shumë. Pse shumë gra nuk ndihen rehat në hapësira të përbashkëta? A është problemi tek gratë që kërkojnë privatësi, apo tek mënyra si trupi i gruas shihet, komentohet, gjykohet dhe seksualizohet? Pse gjithmonë zgjidhja kërkohet te përshtatja e grave, e jo te edukimi i burrave dhe djemve për respekt, kufij dhe sjellje të denjë në hapësira publike?

Në këtë debat, më shqetëson edhe shprehja “gra dhe fëmijë”. Pse oraret për gra nënkuptohen menjëherë si orare edhe për fëmijë? A po e pranojmë në heshtje se fëmijët janë përgjegjësi eksluzive vetëm e nënës? Pse të mos ketë edhe orare për burra me fëmijë? Pse kujdesi prindëror vazhdon të shihet si detyrë natyrore e gruas, ndërsa për burrat si ndihmë apo përjashtim? Fëmijët nuk janë shtojcë e nënës. Prindërimi nuk ka gjini.

Prandaj, problemi nuk është vetëm a duhet apo jo të ketë orar për gra në pishinë. Problemi është si merren vendimet publike, si shpjegohen ato dhe çfarë mesazhi prodhojnë. Insitutcionet publike duhet qartësisht të shpjegojnë: a është kjo masë e përkohshme, vullnetare, e bazuar në kërkesë reale dhe e hapur për rishikim? A garanton ajo se gratë mund ta përdorin pishinën edhe në çdo orar tjetër? A siguron që hapësira të jetë e sigurt, dinjitoze dhe e rehatshme për të gjithë?

Në fund ky debat nuk është vetëm për pishinën e Tetovës. Është për mënyrën si e kuptojmë lirinë e grave: si kontroll, si mbrojtje, apo si zgjedhje. Është për mënyrën si e shohim hapësirën publike: si vend ku të gjithë duhet të përshtaten me një model të vetëm, apo si vend ku dallimet mund të menaxhohen pa e cënuar barazinë.

Dhe këtu kthehemi te dualiteti. I njëjti orar mund të jetë mundësi ose kufizim. E njëjta pishinë mund të jetë hapësirë çlirimi ose hapësirë kontrolli. Gjithçka varet nga ajo nëse gratë kanë vërtetë të drejtë të zgjedhin.

Jo zgjedhje të imponuar nga morali.

Jo zgjedhje të diktuar nga frika.

Por zgjedhje të lirë, të sigurt dhe dinjitoze.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.