KSHZ ua pranoi ankesat, rreth 9.000 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm kërkuan të votojnë nga shtëpia

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në seancën e sotshme pranoi një pjesë të ankesave për të drejtën personale të votimit nga persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, të cilëve më herët nuk u lejohej të votonin nga shtëpia, transmeton Portalb.mk. 

Persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, ankesat e të cilëve janë pranuar, do të duhet të kenë me vete vendimin e lëshuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) gjatë votimit, pasi që ata nuk figurojnë në Listën Zgjedhore dhe as në pajisjet për identifikim biometrik.

Ndërkohë janë paraqitur rreth 9.000 kërkesa për votim në kushte shtëpie, ndërsa afati për dorëzimin e ankesave përfundoi mbrëmë në mesnatë. Nuk do të votohet për tetë persona nga Shtëpia e të Moshuarve “Aria”, e cila është mbyllur me vendim të Ministrisë për Politikë Sociale.

10 tetor, përfundoi afati për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm për t’u regjistruar dhe për të votuar në zgjedhjet lokale.

Personat e pafuqishëm ose të sëmurë, personat në arrest shtëpiak, të burgosurit dhe personat në azile votojnë një ditë para zgjedhjeve, pra më 18 tetor.

Këshillat zgjedhore kryejnë votimin në shtëpitë e të sëmurëve dhe të pafuqishëm dhe të personave në arrest shtëpiak.

Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore në Maqedoni për zgjedhjet lokale të vitit 2025 është 1,832,415 votues. Nga këta votues, 1,717,803 janë të regjistruar në certifikatat e Listës së Votuesve, ndërsa 112,000 votues janë të regjistruar në Listën e posaçme të Votuesve për personat që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit, 2,162 votues që vuajnë dënimin me burg ose janë në paraburgim dhe 450 votues nga azilet e pleqve. Votimi në diasporë nuk zhvillohet në këto zgjedhje.

Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.