Tetova mirëpret poetët nga mbarë bota në Festivalin “Ditët e Naimit”

Të premten në Qendrën për Kulturë në Tetovë, me fillim nga ora 19:30, bëhet hapja solemne e edicionit të  29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, shkruan Portalb.mk.

Në konferencë për media, drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, bashkë me anëtarin e drejtorisë, Xhelal Zejneli, prezantuan detajet e edicionit të 29-të të këtij manifestimi të rëndësishëm poetik ndërkombëtar, që do të zhvillohet më 17–19 tetor 2025 në Tetovë.

Sipas drejtorit Emërllahu, Festivali i këtij viti do të karakterizohet nga një program i larmishëm letrar, artistik dhe kulturor.

“Festivali i këtij viti do të karakterizohet nga një program i larmishëm letrar, artistik dhe kulturor me lexime poetike, përurime librash, ndarje çmimesh dhe vizita kulturore e historike në Tetovë.

Në këtë edicion do të marrin pjesë poetë të njohur nga vende të ndryshme të botës dhe nga hapësira shqiptare:

Manfred Chobot (Austri), Yrene Santos (SHBA), Tomás Modern Galán (SHBA), Krzysztof Galas (Poloni), Claudia Piccinno (Itali), Mesut Senol (Turqi), Hayat Shami (Azerbajxhan), Petros Golitsis (Greqi), Valerio Orliç (Kroaci), Nihad Mesic (Bosnjë e Hercegovinë), Tanja Stanojeviç (Mali i Zi), Kadrie Cesur (Bullgari), Ana Marija Bangjolica (Maqedonia e Veriut), Albi Lushi (Shqipëri), Jeton Kelmendi (Kosovë), Emi Krosi (Shqipëri), Bardhyl Zaimi (Maqedonia e Veriut) dhe Robert Simonishek (Slloveni)”, ka thënë Emërllahu.

Hapja solemne e Festivalit do të mbahet të premten në orën 19:30, përpara Qendrës së Kulturës në Tetovë, me një performance fishekzjarrësh dhe një ceremoni simbolike vendosjeje lulesh para shtatores së Naim Frashërit.

Drejtori i Festivalit, së bashku me laureatin e këtij edicioni, do të nderojnë figurën e poetit të Rilindjes.

Të pranishmëve do t’u shpërndahet Antologjia e poetëve pjesëmarrës, si dhe botime të tjera nga shtëpia botuese e Festivalit.

Në hapjen zyrtare do të flasë drejtori Shaip Emërllahu, ndërsa aktori Arsim Kaleci do të interpretojë poezinë e njohur “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit.

Programi do të shoqërohet me muzikë klasike për piano dhe kitarë, interpretuar nga artistë vendas.

Në orën letrare “Globi poetik”, përveç leximeve të poetëve, do të dorëzohet Çmimi i Madh Letrar “Naim Frashëri”, i cili këtë vit do t’i takojë laureatit ndërkombëtar, të përzgjedhur nga juria e përbërë nga Aminur Rahman (kryetar), Olimbi Velaj dhe Ndue Ukaj.

Laureatit do t’i jepet gjithashtu edhe titulli “Anëtar Nderi i Festivalit”.

Në ditën e dytë, në orën 10:30, në sallën e hotelit Lirak, do të bëhet përurimi i dy vëllimeve poetike të përkthyera në gjuhën shqipe:

  • Poezi të zgjedhura të poetit hungarez Istvan Turczi, përkthyer nga Jeton Kelmendi;
  • “E dashur, mos më dëno me fatin tim” nga poetja italiane Alda Merini.

Më pas, poetët do të vizitojnë monumentet kulturore dhe historike të Tetovës, ndërsa në Teqenë Arabati Baba, në orën 14:00, do të mbahet ora letrare “Poetë dhe vargje”.

Në mbrëmje, në orën 20:00, në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center”, do të mbahet ora letrare “Meridiane poetike”, ku do të lexohen krijime të poetëve pjesëmarrës dhe do të ndahen çmimet letrare “Ditët e Naimit”, “Menada”, “Oeneumi”, “Qiriu i Naimit” dhe “Silke/Liria”.

Festivali mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe sponsorët lokalë “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”.

Me edicionin e tij të XXIX, “Ditët e Naimit” mbetet një ndër ngjarjet poetike më të rëndësishme në hapësirën shqiptare dhe ndërkombëtare, që afirmon vlerat universale të poezisë, frymën e bashkëpunimit kulturor dhe trashëgiminë e Naim Frashërit, simbolit të humanizmit dhe dritës shpirtërore shqiptare.