Kryetari i Tetovës, Kasami u thirr në Gjykatën e Tetovës në lidhje me organizimin e pritjes së kryeministrit Kurti

Më 15 shtator të këtij viti, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, do të merret në pyetje në Gjykatën e Tetovës në lidhje me organizimin e pritjes së kryeministrit të Tetovës më 11 gusht, transmeton Portalb.mk.

Në lidhje me këtë ftesë, ka reaguar kryetari Kasami, duke paralajmëruar pushtetin që koha e tyre ka përfunduar, duhet t’i numërojnë ditët.

“Edhe një tentim për frikësim dhe heshtje, që më bën të kuptoj se sa frikë e kanë opozitën shqiptare. Me këto akte, po na e shtoni kurajon. Po e përsëris, koha e frikësimit dhe shantazhimit të shqiptarëve ka vdekur, ashtu siç është duke vdekur regjimi juaj. I detyrohemi vetëm qytetarëve dhe këtij populli, sa për regjimet e këtilla, nuk jemi frikësuar as në kohën e komunizmit, as tani”, ka shkruar Kasami.

Në ftesë theksohet që në rast se i thirruri nuk paraqitet në ditën e caktuar, duke mos e arsyetuar mosardhjen, do të urdhërohet shoqërimi i tij.

Kujtojmë se më 11 gusht kryeministri i Kosovës u prit në Komunën e Çairit dhe atë të Tetovës. Pas kësaj pati shumë reagime nga politikanët e vendit. Pak ditë pas ceremonive të pritjes së kryeministrit të Kosovës – Albin Kurtit, në stacion policor janë ftuar dy nikoqirët, kryetari i Çairit – Visar Ganiu dhe ai i Tetovës – Bilall Kasami.

Kryeministri i vendit doli me qëndrimin kundër mënyrës së manifestimit në shesh të Tetovës, ku aty u pa të valëvitej një flamur me hartën e Shqipërisë së Madhe. Nga kabineti i Dimitar Kovaçevskit dënuan faktin se në ngjarje nuk është intonuar himni shtetëror i RMV-së dhe nuk është shfaqur flamuri shtetëror. Nga atje njoftuan se nuk janë dakord as me ndryshimin e emrit të rrugës në Çair nga “Brigada e Dytë e Maqedonisë” në “Adem Demaçi”.

Në reagimin e presidentit Stevo Pendarovski thuhej se organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të ndëshkohen me ligj për shkelje të dispozitave ligjore lidhur me përdorimin e flamurit dhe himnit të shtetit dhe flamujve dhe simboleve të bashkësive, me injorim të plotë të simboleve të shtetit. Mënyra e realizimit të idesë për riemërim të rrugës në Komunën e Çairit, thuhet në reagimin nga Pendarovski, është në kundërshtim me parimet e debatit demokratik dhe respektim të trashëgimisë historike të të gjithë bashkësive në shtet.

Reagoi edhe partia opozitare VMRO-DPMNE nga ku theksuan se institucionet nuk mund të arsyetohen me vizita private dhe se partia në pushtet – LSDM e gjunjëzoi sërish Maqedoninë e Veriut.

Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare akuzuan palën maqedonase se me këtë qasje rikthejnë histerinë antishqiptare nga periudha e komunizmit.