Kasami dhe Ganiu u ftuan në polici pas pritjes së Kurtit

Pak ditë pas ceremonive të pritjes së kryeministrit të Kosovës – Albin Kurtit, në stacion policor janë ftuar dy nikoqirët, kryetari i Çairit – Visar Ganiu dhe ai i Tetovës – Bilall Kasami, transmeton Portalb.mk.

Pas bisedës informative në polici, Ganiu para mediave tha se ndaj tij janë ngritur dy kallëzime kundravajtëse, për mos-intonimin e himnit shtetëror dhe mos vendosjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut. Këto kallëzime sipas Ganiut janë të ndikuara politikisht.

“Kanë vendosur që për momentin t’i kem dy dënime për kundërvajtje, kështu që arsyeja është vizita e kryeministrit të Kosovës – Albin Kurti në Çair… Thirren në ligj për shkak se nuk është kënduar himni i Maqedonisë aty, dhe që nuk ka pasur flamuj, do të thotë protokolli nuk e ka paraparë që të ketë flamur, nuk ka pasur të Maqedonisë, por nuk ka pasur as të Kosovës”, tha Ganiu.

Ai tha se me këtë punë janë marrë që nga presidenti i vendit, ministri i jashtëm, kryeministri duke arritur deri te presidenti i Serbisë.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës – Bilall Kasami përmes një reagimi me shkrim tha se komunizmi nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e Taravarin.

“Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta. Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur”, shkroi Kasami në rrjetin e tij Facebook.

Ministria për Punë të Brendshme sot njoftoi se deri te Gjykatat themelore përkatëse ka dorëzuar kërkesë për nisjen e procedurës kundërvajtëse ndaj dy subjekteve juridike, Komunës së Çairit dhe Komunës së Tetovës, dhe personave përgjegjës të këtyre subjekteve juridike, kryetarët e këtyre komunave, V.G. dhe B.K. Kjo pasi atë gjatë organizimit më 11 gusht, në rrugën “Ferid Murati” në Shkup dhe në Sheshin e Qytetit në Tetovë, nuk është vepruar në bazë të Ligjit për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se ditën e premte (11 gusht) kryeministri i Kosovës u prit në Komunën e Çairit dhe atë të Tetovës. Pas kësaj pati shumë reagime nga politikanët e vendit.

Kryeministri i vendit doli me qëndrimin kundër mënyrës së manifestimit në shesh të Tetovës, ku aty u pa të valëvitej një flamur me hartën e Shqipërisë së Madhe. Nga kabineti i Dimitar Kovaçevskit dënuan faktin se në ngjarje nuk është intonuar himni shtetëror i RMV-së dhe nuk është shfaqur flamuri shtetëror. Nga atje njoftuan se nuk janë dakord as me ndyshimin e emrit të rrugës në Çair nga “Brigada e Dytë e Maqedonisë” në “Adem Demaçi”.

Në reagimin e presidentit Stevo Pendarovski thuhej se oganizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të ndëshkohen me ligj për shkelje të dispozitave ligjore lidhur me përdorimin e flamurit dhe himnit të shtetit dhe flamujve dhe simboleve të bashkësive, me injorim të plotë të simboleve të shtetit. Mënyra e realizimit të idesë për riemërim të rrugës në Komunën e Çairit, thuhet në reagimin nga Pendarovski, është në kundërshtim me parimet e debatit demokratik dhe respektim të trashëgimisë historike të të gjithë bashkësive në shtet.

Reagoi edhe partia opozitare VMRO-DPMNE nga ku theksuan se institucionet nuk mund të arsyetohen me vizita private dhe se partia në pushtet – LSDM e gjunjëzoi sërish Maqedoninë e Veriut.

Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare akuzuan palën maqedonase se me këtë qasje rikthejnë histerinë antishqiptare nga periudha e komunizmit.