Kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski promovoi në Shkup partinë e tij “Znam”

Ish-funksionari i lartë i LSDM-së, tash kryetar i pavarur i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, mbrëmë në Shkup ka promovuar partinë e re “Znam”, transmeton Portalb.mk.

Në fakt, mbrëmë u nënshkrua nisma për formimin e partisë nga përfaqësuesit e 10 shoqatave civile. Me atë akt e mbështetën lëvizjen që të shndërrohej në subjekt politik.

Para nënshkrimit në podium doli shkrimtari Venko Andonovski, pasuar nga profesoresha Katerina Todorovska.

Dimitrievski duke bërë thirrje për aleancë me popullin në fjalën e tij tha se Maqedonia nuk duhet të jetë shtet privat në pronësi të individëve. Ashtu si të gjithë themeluesit e mëparshëm të partive të reja dhe liderët aktualë dhe të mëparshëm të subjekteve politike, edhe ai tha se do të avokojë për departamentizimin e gjyqësorit, policisë, prokurorisë dhe të gjitha institucioneve.

Ndërkohë, një muaj më parë, në media u përfol se kryetarja Danella Arsovska ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e një partie.

Partia, siç u tha, do të quhet “Pravda”, ndërsa selia do të jetë në rrugën Gjorçe Petrov nr.49, adresë e cila sipas të dhënave të biznis-rrjetit, është e lokalizuar aty ku janë kompanitë e bashkëpunëtorit të saj më të afërt në hije Dragan Mitkovski.

Ndërkohë, partia e Dimitrievskit, është partia e parë e re politike në kampin maqedonas, por e katërta në skenën politike pas formimit të tre partive të tjera shqiptare nga Izet Mexhiti i dalë nga radhët e BDI-së, Arjanit Hoxhës, i dalë nga radhët e Lëvizjes Besa dhe Skender Rexhepi Zejdi, dalë nga Alternativa.

Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit e paralajmëruar qysh në korrik, u formua më 13 gusht, ku po të njëjtin ditë mbajti kuvendin themelues.

Ndërsa në ditën paraprake, 12 gusht, u formua Partia Demokratike Evropiane me në krye Arjanit Hoxhën.

Partia e deputetit të pavarur Skender Rexhepi – Zejdi, quhet Lëvizja Populli dhe u shpalos më 9 shtator.