Krimi i të mohuarit

Gjenocidi nuk është vepër penale e çastit. Ai është krim makabër i paramenduar dhe i realizuar me precizitet të madh dhe me formën më të rëndë të fajit: dolus praemediatus, apo dashje e paramenduar. Është veprim mirë i organizuar nga autoritete shtetërore ose formacione ushtarake e paraushtarake të cilat shumë mirë e dinë se çfarë janë duke bërë. Si i tillë, krimi i gjenocidit kalon në tetë faza, thonë autorët e të drejtës penale ndërkombëtare: Klasifikimi (ndarja e shoqërisë në “ne” dhe “ata”); Simbolizimi (vendosja e simboleve mbi popullatën e targetuar), Dehumanizimi (paraqitja e popullatës së targetuar si sëmundje në shoqëri dhe identifikimi i tyre si subkategori e njerëzve), Organizimi (krim i organizuar nga autoritete shtetërore dhe formacione ushtarake), Polarizimi (polarizimi i popullatës përmes propagandës në mënyrë që zhdukja e popullatës së targetuar të relativizohet dhe të bëhet e pranueshme), Përgatitja (veprimet përgatitore rreth kryerjes së krimit, ndarja e viktimave të targetuara dhe vendosja e tyre në vendet ku do të bëhet zhdukja), Eksterminimi (veprimi aktual i zhdukjes së popullatës së targetuar), dhe Mohimi (mohimi se është kryer krim, arsyetimi dhe përkrahja e asaj që ka ndodhur në vend të bartjes së përgjegjësisë). Para se të ndodhë eksterminimi ndodhin shumë veprime të tjera që vërtetojnë se ky krim është mirë i paramenduar, dhe kryersit dinë shumë mirë se ç’janë duke bërë. Ky krim nuk mbaron me eksterminimin e viktimave, por vazhdon më tej përmes procesit të mohimit.

Në këtë javë kur përkujtohet Gjenocidi në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8000 persona në Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe më tej është më se e dukshme faza e fundit e kryerjes së këtij krimi që çdo vit përkujtohet në qendrën memoriale në Potoçare. Faza e fundit e krimit të gjenocidit është Mohimi, dhe kjo fazë assesi të mbarojë për Gjenocidin e Srebrenicës. Mohimi i gjenocidit është vepër penale e veçantë në kodet penale të vendeve të civilizuara. Por çfarë duhet bërë kur përaqësues të lartë politik si Dodik, vazhdojnë ta mohojnë këtë krim dhe nuk bartin përgjegjësi? Denis Zvizdiq, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës dekalroi se: “Gjenocidi në Srebrenicë nuk është çështje opinionit të askujt, ky është fakt historik”. Njëri ndër problemet më madhore të kohës së sotme është mundësia për të hedhur në diskutim faktet historike dhe aktuale. Nuk mund të debatohet mbi atë se a ka pasur ose jo gjenocid, kur dy gjykata ndërkombëtare kanë konstatuar pikërisht se gjenocidi ka ndodhur kanë dënuar persona e shtete përgjegjëse për këtë. Faktet nuk diskutohen por meren si të tilla, sepse nuk varen nga vullneti i dikujt, ato thjesht ekzistojnë. Prandaj romakët e vjetër kanë thënë se para fakteve edhe zotërat heshtin. Sepse kur faktet mohohen, mohohet e vërteta, e kur e vërteta mohohet, një krim nuk ka përfunduar ende. Faza e fundit e Gjenocidit të Srebrenicës vazhdon të ndodhë dita ditës, sepse ky gjenocid nuk ka mbaruar me eksterminimin e viktimave, por vazhdon ende, përmes mohimit të fakteve të cilat janë pranuar dhe konstatuar botërisht.

Komuniteti ndërkombëtar që dështoi në mbrojtjen e viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, nuk duhet të dështojë tani në procesin e barjtes së përgjegjësisë për fazën e fundit të këtij krimi dhe nuk duhet të lejojë mohimin e mëtejshëm të tij. Spese gjenocidi nuk është krim që mund të fshihet, prandaj mohimi i tij është i papranueshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.