“Levica” ia ndërroi emrin parkut “Ukraina” në “ASNOM”, rasti është paraqitur në polici

Tabela e parkut me emrin e “Parku Ukraina” është shkarravitur, ndërsa kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu e ka dënuar aktin, duke kërkuar gjetjen e autorëve dhe ndëshkimin e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Komuna e Çairit dhe unë si kryetar i saj e dënojmë ashpër aktin e vandalizimit të tabelës me emrin e Parkut Ukraina që gjendet në territorin tonë, gjegjësisht pranë objektit komunal”, shkruan në Facebook, Ganiu.

Ganiu e konsideron veprimin si një akt tepër të ulët ndaj një vlere paqësore siç është “Parku Ukraina”, që e promovuan javë më parë së bashku me Ambasadën e Ukrainës në vend.

“Rastin në fjalë ne tanimë e kemi denoncuar tek organet e rendit dhe kërkojmë që sa më shpejt autorët të identifikohen dhe të marrin ndëshkimin e merituar”, shkruan Ganiu.

Mesa duket, veprimin vandal e kanë bërë të rinjtë e partisë Levica, të ashtuquajtur Rinia e kuqe e të rinjve  Të Levicës, etë cilët madje në një postim në Twitter janë lavdëruar për këtë akt.

“I ndryshuam emrin, pa referendum. KAÇKM JETON”, shkruan në Twitterin e kësaj Lëvizjeje.

“Parku Ukraina” u promovua më 7 qershor në Komunën e Çairit, gjegjësisht pranë objektit komunal.

“Me promovimin e Parkut Ukraina përçuam porosinë se çdoherë do të jemi me Ukrainën dhe popullin ukrainas, njëlloj sikurse miqtë tanë  – Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi atëherë kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.