KPMD: Qytetarët që kanë paguar për ndërrimin e patentë shoferit kanë trajtim të pabarabartë

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) u bën thirrje institucioneve që të marrin masa për të siguruar trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve në procedurat për ndryshimin e dokumenteve të vlefshme me emrin e ri të shtetit. KPMD konsideron se qytetarët që kanë ndryshuar dokumente të vlefshme me emrin e ri të shtetit dhe kanë paguar për to po trajtohen në mënyrë të pabarabartë, transmeton Portalb.mk.

Qëndrimi i Komisionit vjen pas vendimit të djeshëm të Qeverisë për nxjerrjen falas të patentë shoferëve dhe lejeve të qarkullimit.

“Në këtë rast nuk është bazë diskriminuese, ka trajtim të pabarabartë, por jo diskriminim”. “Institucionet të marrin masa që të sigurojnë trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve në procedurat e ndryshimit të dokumenteve të vlefshme me emrin e ri të shtetit”, thuhet në njoftimin e KPMD.

Nga aty kujtojnë se të gjithë qytetarët kanë të drejtë të barabartë në dokumente personale të vlefshme.

“Mos ofrimi i dokumenteve personale të vlefshme nga ana e shtetit mund të cenojë të drejta të tjera të qytetarëve, si e drejta për lëvizje të lirë, e drejta për punë, e drejta për kujdes shëndetësor etj. I mirëpresim masat e ndërmarra nga Qeveria për pajisjen me dokumente personale për të gjithë qytetarët, por ato janë të parakohshme, me çka cenohet siguria juridike e qytetarëve”, shtojnë nga atje.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, dje në seancën e qeverisë ka njoftuar se është marrë vendim që ndërrimi i patentëve të shoferit dhe librezat e trafikut të jetë falas për qytetarët, si dhe lëshimi i dokumenteve të udhëtimit për ata që jetojnë jashtë vendit dhe duhet të kthehen në vend të marrin dokument të ri udhëtimi.

Sipas Bytyqit, në takim është biseduar edhe për atë se çfarë do të ndodhë me ata qytetarë që tashmë kanë nxjerrë dokumentet personale, si dhe ata që do t’ua kthejnë paratë dhe tha se pret që në periudhën e ardhshme të gjendet një zgjidhje për ta.

Kujtojmë se Qeveria në seancën e djeshme mori vendim që fletët e udhëtimit, të cilat përndryshe kushtojnë 30 euro, do të jenë falas për të gjithë shtetasit e Maqedonisë që ndodhen jashtë vendit dhe nuk kanë arritur të ndërrojnë pasaportën për t’u kthyer.