Premtohet prej gati 12 vitesh, pushtetarët vazhdojnë të propagandojnë me shkollën e Vizbegut

Pavarësisht se u paralajmërua të hapet në fund të vitit 2023, objekti i ri shkollor në Vizbeg ende nuk dihet se kur do të bëhet. Pushtetarët vazhdojnë të propagandojnë me këtë shkollë në prag të zgjedhjeve parlamentare.  Zëvendëskryeministri i Qeverisë për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi sot së bashku me sekretaren shtetërore në Ministrinë e Arsimit (MASH), Biljana Kazanxhiska, inspektuan këtë shkollë, ku edhe pse premtohet për gati 12 vite, përsëri e konsiderojnë “shprehje e përkushtimit të Qeverisë për të siguruar qasje të barabartë në arsim cilësor për të gjithë”, shkruan Portalb.mk.

“Kjo shkollë e re jo vetëm në aspektin hapësinor do të plotësojë nevojat për një proces cilësor dhe të mbarë edukativ, por do të shërbejë edhe si qendër për zhvillimin social dhe kulturor të fëmijëve. Me klasa të pajisura për një kurrikul gjithëpërfshirës, ​​duke përfshirë klasat e shkencave shoqërore dhe natyrore, të muzikës dhe të artit, studentët do të kenë mundësinë të eksplorojnë dhe zhvillojnë interesat, aftësitë dhe talentet e tyre të ndryshme”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Shkolla e re në Vizbeg nuk do të lëshohet në përdorim deri në fund të vitit 2023, raportoi Alsat, gjatë muajit tetor të vitit të kaluar. Nga Ministria e Arsimit atëkohë thanë se gjatë kësaj periudhe duhet të përfundojnë të gjitha procedurat administrative dhe teknike që kanë të bëjnë me vendosjen e trafostacionit për energji elektrike që njiherit edhe ishte shkak i mos nisjes me punë të kësaj shkolle. Nga ky dikaster paralajmëruan se paralelisht me punët rreth energjisë elektrike, Komuna e Butelit do të vendos për këshillin dhe udhëheqësinë e saj. Banorët e Vizbegut vlerësuan se zvarritja është e qëllimshme, për të fituar pikë politike.

Kujtojmë se për këtë shkollë që nga viti 2012 e këndej janë bërë një maratonë premtimesh. Më poshtë mund të shihen shumica e premtimeve dhe aktiviteteve për të njëjtën.