Digjitalizimi i dokumenteve personale në RMV vetëm PR: Nuk vlejnë pothuajse në asnjë institucion
Policia nuk do t’i njohë letërnjoftimin dhe patentën digjitale, prandaj qytetarët duhet t’i mbajnë me vete edhe dokumentet fizike, në formë kartele plastike. Ministria e Transformimit Digjital për Portalb.mk tha se duhet që institucionet t’i harmonizojnë veprimet e tyre me kornizën ligjore. Ministria, dje promovoi aplikacionin mobil m.Uslugi, përmes të cilit qytetarët do të kenë qasje në shërbimet publike digjitale dhe dokumentet elektronike, por për momentin këto dokumente nuk do të jenë të vlefshme para organeve shtetërore. Ky fakt, promovimin e aplikacioni e bën vetëm PR të ministrisë, hiç më shumë.
Ministria e transformimit digjital, për Portalb.mk pavarësisht se tha që dokumentet elektronike janë ligjërisht të vlefshme, pranoi se institucionet duhet të harmonizojnë veprimet e tyre me kornizën ligjore. Përkatësisht, me fjalë tjera, se nuk janë të vlefshme para institucioneve.
“Dokumentet elektronike të disponueshme përmes m.Shërbime janë dokumente ligjërisht të vlefshme, në përputhje me Ligjin për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besimit. Ato nuk janë fotografi ose kopje, por dokumente elektronike me mundësinë e kontrollit të autenticitetit të tyre nëpërmjet kodit QR. Institucionet duhet të harmonizojnë veprimet e tyre me kornizën ligjore, dhe Ministria po punon në mënyrë aktive për koordinimin me ta për zbatimin e tyre praktik në të gjitha procedurat përkatëse”, thonë nga Ministria.
Gjithashtu ministri, deklaroi se para policisë, për t’ju identifikuar, duhet t’i paraqisni dokumentet fizike.
“Nëse policia ju ndalon për t’ju identifikuar dhe ju kërkon letërnjoftimin ose patentën e shoferit, do të duhet t’i paraqitni dokumentet fizike, në formë kartele plastike. Nevojiten ndryshime në ligje dhe rregullore, por po punohet për këtë. Deri atëherë, mbajini me vete edhe dokumentet plastike“, deklaroi ministri Stefan Andonovski për Sdk.mk.
Aplikacioni është konceptuar si një qasje e vetme mobile drejt shtetit digjital, me identitet digjital, dokumente elektronike, shërbime publike dhe njoftime në një vend, ndërsa në fazat e ardhshme parashikohen edhe pagesat e integruara.
“m.Uslugi është një fillim, jo një produkt i përfunduar, dhe se aplikacioni do të përmirësohet vazhdimisht. Futjen e pagesave të integruara, mundësinë e përdorimit të një fotografie në procedurat kur është e nevojshme. Fazat e ardhshme parashikojnë futjen e pagesave të integruara, mundësinë e përdorimit të fotografisë në procedurat kur është e nevojshme, dokumente të reja elektronike si transkripte, certifikata dhe diploma, si dhe një zgjerim të ndjeshëm të numrit të shërbimeve të disponueshme”, tha dje Andonovski.
Portalb.mk i është drejtuar Ministrisë së Transformimit Digjital. Nga Ministria thanë pranimi praktik i dokumenteve digjitale në institucione mbetet çështje që kërkon koordinim dhe harmonizim të mëtejshëm, ndërsa për zgjerimin e shërbimeve nuk është dhënë një afat konkret.
Ndryshe, dje me pompozitet të madh u promovua aplikacioni mobil m.Uslugi, i prezantuar si një hap drejt digjitalizimit të shërbimeve publike në Maqedoninë e Veriut. Aplikacioni synon të mundësojë qasje në një vend në identitetin digjital, dokumentet elektronike, shërbimet publike dhe njoftimet nga institucionet, ndërsa në fazat e ardhshme janë paralajmëruar edhe pagesat e integruara. Megjithatë, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, deklaroi se aplikacioni është vetëm fillimi dhe se nevojiten ndryshime ligjore që dokumentet digjitale të mund të përdoren edhe gjatë kontrolleve nga policia. Deri atëherë, qytetarët duhet t’i mbajnë me vete edhe letërnjoftimin dhe patentën fizike, në formë kartele plastike. Aplikacioni është falas dhe përdorimi i tij është vullnetar.