Mariçiq: Qeveria pritet ta miratojë të martën ligjin për masat kufizuese

Nuk ka asnjë problem në funksionimin e Qeverisë teknike dhe pres që të jetë ashtu deri në fund të mandatit, përkatësisht deri në fillim të zgjedhjeve, deklaroi sot zëvendëskryeministri i parë për çështje evropiane në Qeverinë teknike, Bojan Mariçiq, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, veç më është mbajtur një seancë dhe janë konstituuar organet qeveritare.

“Pritet që të martën të ketë ndoshta më shumë se një seanë dhe të miratohet ligji për masa kufizuese”, theksoi Mariçiq pas vendosjes së luleve në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Sveti Spas” në Shkup.

Qeveria javën e kaluar informoi se, propozimi për ndryshime të Ligjit për masa kufizuese është tërhequr nga procedura parlamentare për shkaqe administrative. Ai pritet të jetë në rend dite në seancën e ardhshme qeveritare, në të cilën duhet të jepet miratim i ri.

Përmes ndryshimeve të ligjit për masa kufizuese, parashihet që personat që do të jenë në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për korrupsion, krim të organizuar, shpërdorim detyre dhe kërcënime hibride, të ndiqen penalisht edhe në vend.

Kjo iniciativë erdhi pasi vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, biznesmeni kundërthënës, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.