Kovaçevski: Nuk shkelet ligji me propozimin e Talat Xhaferit për kryeministër teknik

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se është obligim i të gjitha partive politike që të marrin pjesë në një qeveri që duhet t’i zhvillojë zgjedhjet në nivel teknik, duke theksuar se sipas ligjit, të gjitha partitë duhet të delegojnë përfaqësuesit e tyre në qeverinë teknike që do të punojë për 100 ditë, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria teknike është detyrim ligjor, ashtu siç është detyrim ligjor që unë të jap dorëheqjen 100 ditë para qeverisë, me të cilën praktikisht është dorëhequr e gjithë qeveria. Është detyrë e të gjitha partive politike të marrin pjesë në një qeveri që në nivel teknik duhet t’i zhvillojë zgjedhjet. Me këtë do të kemi një proces demokratik që nuk do të ketë asnjë të metë dhe mendoj se të gjitha partitë sipas ligjit duhet t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në qeverinë teknike që punon 100 ditë”, theksoi Kovaçevski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, çka nëse VMRO-DPMNE vendos që qeveria teknike të bojkotojë konferencën “Transparenca dhe Llogaridhënia: Çift i përsosur për Rikthimin e Besimit në Institucionet Publike”.

Në pyetjen e një gazetari se po shkelet Ligji për Qeverinë me propozimin e Talat Xhaferit për kryeministër të Qeverisë Teknike, i cili duhej të ishte nga LSDM-ja, kryeministri Kovaçevski theksoi se nuk është shkelur asnjë ligj dhe ka treguar se po veprojnë sipas asaj që parashikohet me ligj.

“Së pari ligji nuk po shkelet, sepse sot dhe qeveria paraprake është qeveri koalicioni dhe po të shikosh mandatin që i jep presidenti i shtetit, ia jep një koalicion që ka të paktën 61 deputetë në Parlament. Kështu u caktohet mandati atyre që kanë 61 deputetë. Dhe kështu caktohen mandatet, pra asgjë nuk prishet. Gjithçka që parashikohet është e parashikuar në ligj. Sipas ligjit, nuk ka asnjë improvizim. Çështja paraprake ishte sundimi i ligjit dhe respektimi i ligjit. Nuk mund të kërkojmë që të respektohen disa ligje dhe të shohim se çfarë të bëjmë nëse ligjet e tjera nuk respektohen. Ligjet ekzistojnë për t’u respektuar”,  tha Kovaçevski.

Qeveria kalimtare ose teknike që do të organizojë zgjedhjet parlamentare më 8 maj 2024, duhet të votohet më 28 janar. Tash për tash dihet se kryeministër i qeverisë teknike do të jetë kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Bashkimi Demokratik për Integrim vendosi që kryetarin aktual të Kuvendit Talat Xhaferi ta propozojë kryeministër të Qeverisë teknike që do të funksionojë nga 28 janari.

Deputetja Markoska theksoi se për LSDM-në propozimi që Talat Xhaferi të jetë kryeministër i Qeverisë teknike është zgjidhje adekuate dhe e mirë.

Më 05 qershor të vitit 2020, kur kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në shënimin e 18 vjetorit të themelimit të partisë, shpalosi idenë e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. “Të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për kryeministrin e parë shqiptar. Akoma nuk është përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe”, pati deklaruar atëkohë Ahmeti.

Por pas përfundimit të zgjedhjeve, LSDM dhe BDI filluan bisedimet për formimin e Qeverisë ku edhe arritën marrëveshje që kryeministër me mandat 4-vjeçar të jetë Zoran Zaevi, ndërkaq në 100 ditët e fundit të mandatit, BDI do të propozojë kuadër për kryeministër shqiptar.

Çështja e kryeministrit të parë shqiptar së fundmi i soll sërish në vëmendje, pasi që Ky reagim nga BDI erdhi pasi kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit në qershor të këtij viti me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, shprehu gatishmërinë që VMRO-ja të hyjë në qeveri, por jo bashkë me BDI-në. Nga BDI menjëherë reaguan dhe thanë se e pranojnë këtë ofertë, që të mos jetë në qeveri, por që fillimisht të bëhen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve me BE-në.

Madje, BDI tha se do të heqë dorë edhe nga pozita e kryeministrit të parë shqiptar, por megjithatë, kjo nuk u realizua, pasi që VMRO-DPMNE u tërhoq nga bisedimet.