Komuna e Çairit ankohet se i janë shkurtuar bllok-dotacionet për arsim, MASH: Do të plotësohen mjetet në shtatorin e ardhshëm

Përfaqësuesit e Komunës së Çairit nëpërmjet një konference për shtyp sot kanë theksuar se bllok-dotacionet e parashikuara për vitin 2024 janë shkurtuar dhe kjo do të shkaktojë problem serioz në funksionimin e shkollave, pasi që mjetet e ndara nuk janë të mjaftueshme. Nga MASH theksojnë se shtatorin e ardhshëm këto mjete do të plotësohen, shkruan Portalb.mk.

“Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, planifikimi i bllok-dotacioneve për arsimin fillor për vitin 2024 për Komunën e Çairit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është në vlerën e 525 milionë denarëve, nga të cilat vetëm për rrogat e mësimdhënësve, të punësuarve në 10 shkollat fillore si dhe regresi, i cili nga ky vit është i obligueshëm, kap shifrën e 500 milionë denarëve dhe pjesa e mbetur prej 25 milionë denarëve, është tepër e vogël për mbulimin e të gjitha harxhimeve tjera, flas këtu për ngrohjen qendrore, naftën për ngrohje, energjinë elektrike, harxhimet tjera elementare për të funksionuar mësimdhënia, mirëmbajtja e objekteve, transporti i nxënësve dhe kështu me radhë”, tha Blerim Sulejmani, udhëheqës i Sektorit të Financave në Komunën e Çairit, i cili ishte i shoqëruar nga përfaqësues të Sektorit të Arsimit dhe drejtorët e shkollave fillore.

Nga Komuna theksuan që kërkojnë urgjentisht nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës të rishqyrtojë këtë vendim sepse kështu i dëmtojmë dhe shkollat fillore dhe rreth 10.000 nxënës

“Shkurtimin e bllok-dotacioneve ne e vlerësojmë edhe si një lojë tinëzare të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, edhe atë në kurriz të fëmijëve, në kurriz të nxënësve dhe ardhmërisë sonë”, shtoi Sulejmani, i cili më pas gjatë pyetjeve gazetareske tha se çdo vit shkollat në Çair hasin probleme për shkak të mjeteve jo të mjaftueshme financiare.

Portalb.mk kontaktoi Ministrinë e Arsimit, të cilët theksuan se komunat do t’i marrin mjetet shtesë, të cilat do të shpërndahen me modelin e ri prej shtatorit të vitit 2024.

“Komunat do të kenë mjetet e nevojshme nga bllok-donacionet dhe po të njëjtat me modelin e ri i cili planifikohet të realizohet nga shtatori i 2024 do të plotësohen me të gjitha mjetet e nevojshme. Komunat do të kenë të gjitha mjetet e nevojshme për realizim pa problem të procesit arsimor në shkollat fillore dhe të mesme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ndryshe, të gjitha shkollat fillore, prej vitit 2015-të për shkak të mungesës financiare kanë akumuluar borxh në total prej rreth 1 milion euro, ndërkaq siç theksojnë prej komunës, kjo shumë do të ishte shumë më e madhe nëse nuk do të kishin ndërhyrë me financim prej buxhetit të komunës.

Për të njëjtin problem u ankuan sot edhe nga Komuna e Tetovës të cilët u ankuan se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka zvogëluar zvogëluar buxhetin për funksionim normal të shkollave fillore në Komunën e Tetovës dhe se me e planifikuar dëmtohet arsimi dhe nxënësit.