Hallet në Gjimnazin e Tetovës s’kanë të ndalur, mësimdhënësit në bojkot për shkak të vonesës në rroga
Gjysmëvjetori i dytë ende nuk ka filluar për nxënësit e gjimnazit “Kirill Pejçinoviq” në Tetovë. Profesorët bojkotojnë mësimin për shkak se dy muajt e fundit, pagat i kanë marrë me nga dy javë vonesë. Profesorët thonë se me këto vonesa po nëpërkëmbet dinjiteti i tyre, transmeton Portalb.mk nga Alsat.
“Vërtetë është nëpërkëmbje shumë e madhe sepse nuk është hera e parë e tha edhe kolegu. Ne mendojmë se kësaj praktike duhet ti vij fundi sepse me Ligj duhet rrogat të jepen deri më datë 15, ndërsa me datë 16 ne mund edhe të padisim. Andaj le të jetë si vërejtje kjo sepse edhe herën e parë njëjtë ndodhi. Nuk kemi asnjëfarë shpjegimi përse vonohen rrogat, nëse edhe muajin e ardhshëm një ditë vonohen rrogat, ne e njoftuam drejtorinë hyjmë menjëherë në bojkot”, tha profesori Ismail Amiti, profesor.
“Nuk është normale kjo sepse nuk është hera parë kjo, sërish përsëritet. Dihet që pjesa më e madhe e punëtorëve të arsimit kanë kredi kanë fatura rrymë telefonat dhe gjithë kërkojnë pagesë dhe kanë kamata. Vetë pushtetarët e kanë sjellë Ligjin për rrogën dhe të njëjtin vetë nuk e respektojnë. Në mënyrë drastike na është ulur dinjiteti”, deklaroi profesori Ejup Ramadani.
Edhe pse në shkollë tash dy ditë nuk ka nxënës, drejtoresha thotë se zyrtarisht nuk ka bojkot. Për situatën e krijuar fajëson politikën.
“Asnjë informacion zyrtar për çështje bojkoti nuk kam. E ajo që po vazhdon politika me Gjimnazin, e shihni politika ka hy aq thellë dhe aq janë instrumentalizuar mësimdhënësit, sa që më nuk e dinë se kujt i shërbejnë”, u shpreh Teuta Llalla, drejtoreshë e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” Tetovë.
Për gjendjen e krijuar në gjimnazin “Kirill Pejçinoviq”, sektori i arsimi i Komunës së Tetovës fajëson Ministrinë e Arsimit.
“Ende kjo s`ka lidhje me komunën se bllok dotacionet janë ende në Ministri. Kompetencat na u kthyen para një javë dhe jemi në procedurë të kërkojmë nga Ministria e Arsimit e shkencës , që mjetet e dotacioneve për Gjimnazin, nga Ministria të transferohen në komunë dhe kjo do të zgjidhet. Me kalimin e këtyre mjeteve në komunë, nuk do të ketë asnjë problem as me rroga as me asgjë”, tha Nazmi Dauti, Sektori për arsim në Komunën e Tetovës.
Kujtojmë që me 16 janar 2023 Gjykata Administrative e RMV-së ia ktheu kompetencat e përgjithshme për gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq” kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit të cilat në korrik 2023 iu morën nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Problemi me kompentencat daton që në maj të vitit 2022 kur drejtoresha e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” Teuta Llalla u shkarkua nga pozicioni i drejtoreshës nga ana e Komunës së Tetovës. Shkarkimi i Llallës, sipas Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Më pas Ministria e Arsimit ia mori kompetencat kryetarit të Komunës për shkarkimin dhe emërimin e drejtorit në këtë shkollë, me çka Lalla u rikthye në punë si drejtoreshë. Ndërkaq, në korrik 2023 Ministria ia mori kompetencat Komunës së Tetovës për gjimnazin jo vetëm për emërim dhe shkarkim, por edhe për punët e përgjithshme. Si rezultat i marrjes së kompetencave dhe konfuzionit për atë se kush është përgjegjës për shkollën, gjimnazi disa herë ka mbetur pa rrymë.