Në RMV nuk ka terminë për mamografi, Ministria premton ndryshime nga shtatori

Për një numër të madh të femrave në Maqedoninë e Veriut është pothuajse e pamundur që të arrihet te një termin për mamografi ose eho, veçanërisht në spitalet shtetërore. Me rritjen e diagnozave të kësaj sëmundjeje, mungesa e termineve për monografi po bëhet pengesë kritike në betejën për jetë dhe shëndet, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Diagnoza e hershme nënkupton shërim të suksesshëm për shumë sëmundje. Të paktën kështu apelojnë shumë mjekë duke sugjeruar që të bëhen rregullisht ekzaminime vjetore kur bëhet fjalë për ato sëmundje që kanë më shumë gjasa të kurohen në qoftë se diagnostikohen me kohë siç është kanceri në gji.

Qëllimi i mamografisë është zbulimi i kancerit në fazën më të hershme të mundshme për trajtim më efektiv. Por, si mund të kurohet një sëmundje nëse nuk mund të marrësh një termin për ta zbuluar atë?

Aktualisht, aparatet mamografike disponohen në 18 qytete në institucionet shëndetësore shtetërore. Në Shkup, aparate të tilla disponojnë në katër klinika ndërsa në qytetet e tjera vetëm në një spital shtetëror.

Që një pacient të arrijë deri në termin për ekzaminim, duhet fillimisht të udhëzohet nga mjeku amë, të cilit i lejohet një numër i caktuar i terminëve për një muaj. Prej aty, mjeku i familjes përmes sistemit “Termini im” cakton takim për pacientin në oraret e disponuara. Edhe pse duket si një sistem funksional, mjekët dhe pacientët ankohen për mungesën e terminëve.

Pengesa e parë është pikërisht caktimi i terminit nëpërmjet mjekut të familjes, sepse ordinancave u jepet një numër i kufizuar terminësh për muajin. Kërkesa për ekzaminime është shumë e madhe, por gjithashtu edhe mungesa e terminëve dhe pajisjeve.

Mjeku i mjekësisë së përgjithshme Gyuro Klenkoski per Meta.mk tha se termin merr i pari që ia arrit ta caktojë atë.

“Nuk ka terminë aq sa ka kërkesa”, thotë ai.

Një problem tjetër me të cilin përballen mjekët është opsioni jo ekzistues për të futur një pacient në mënyrë urgjente në orar dite. Nëse ka arsye për shqetësim te një pacient dhe rrezik të një diagnoze të kancerit është pothuajse e pamundur të bëhet një ekzaminim urgjent.

Doktori i mjekësisë së përgjithshme, Bojan Trajkovski, komentoi se pacientët dërgohen në qytete tjera për mamografi dhe konfirmon se mundësitë që në orar të futet një pacient që ka nevojë për ekzaminim urgjent janë jashtëzakonisht të vogla.

Në klinikat private një paketë eho dhe mamografi kushton nga 100 euro e më shumë.

Në pamundësi për të caktuar termin, një numër i madh pacientësh drejtohen në klinikat private për mamografi dhe eho, ku çmimet janë shumë të larta për standardin e qytetarëve të thjeshtë. Pra, në spitalin “Sistina” një paketë mamografi dhe eho kushton 8 mijë denarë, e veçmas 5 mijë denarë.

Në spitalin “Remedika” tarifat për mamografinë janë 3.800 denarë, për eho 3.700 denarë, dhe pako me të dyja 6.200 denarë.

Në spitalin klinik “Zhan Mitrev”, mamografia 3D është 4800 denarë, mamografia 2D 2000 denarë, ndërsa eho 1800 denarë.

Gjatë pandemisë, mamografitë në institucionet shëndetësore publike janë kryer në një numër të reduktuar dhe terminët kanë filluar të rihapen nga viti i kaluar. Prandaj, pacientët që presin që nga viti 2020 dhe 2021 tek tani kanë mundësi të provojnë të bëjnë termin.

Aktualisht, sipas sistemit “Termini im” në gjysmën e qyteteve të vendit nuk ka terminë të gatshëm për mamografi në 3 muajt e ardhshëm. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se nga shtatori do të ketë ndryshime për sa i përket terminëve për ekzaminim të gjirit.

“Pikërisht në drejtim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor, nga shtatori parashihet ndryshim në lidhje me rrugën deri tek ekzaminimi i gjirit, me qëllim që gratë të bëjnë ekzaminim në pajtueshmëri me pasqyrën klinike, pra nevojës mjekësore. Kjo do të thotë se gratë me pasqyrë klinike me ndryshime në gji do të marrin referim për ekzaminimin e gjirit, dhe radiologu do të japë rekomandimet e nevojshme biopsi ose diçka tjetër. Me këtë lehtësohet qasja e grave deri te shërbimet e nevojshme mjekësore. Incizimi i kancerit të gjirit do të vazhdojë si pjesë e rrugës me qëllim që të bëhet ndarja e grave që duken të shëndetshme që përkasin për incizim dhe gratë me nevojë urgjente për ekzaminim radiologjik, përkatësisht: para dhe pas operacionit, gjatë trajtimit onkologjik si dhe pas ndryshimeve të reja në gji.”, tha Ministria e Shëndetësisë.

Nga aty, shtojnë se radiologët në Komisionin Kombëtar, në bashkëpunim me “Termini im” realizojnë edukime për mjekët e familjes dhe radiologët dhe do t’i informojnë për të rejat në lidhje me zbulimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit në kohë.