Kovaçevski dënoi sulmin në Kosovë dhe siguroi se situata e sigurisë në RMV është stabile

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dënoi ashpër sulmin e armatosur në Kosovë dhe shprehu mbështetjen e plotë ndaj KFOR-it për të gjitha aktivitetet e ardhshme që synojnë garantimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Kovaçevski i siguron qytetarët e Maqedonisë se mund të jenë të qetë, transmeton Portalb.mk.

“Situata e sigurisë në vend është stabile, pa të dhëna për shqetësime të mundshme. Të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë po monitorojnë me vigjilencë situatën. Sipas informacioneve të shkëmbyera ndërmjet shërbimeve të inteligjencës së sigurisë në vend si dhe informacioneve të marra nga shërbimet e aleatëve tanë në aleancën e NATO-s, nuk ka indikacione që tregojnë për shkelje të sigurisë në Maqedoninë e Veriut”, tha mbrëmë kryeministri Kovaçevski në një postim në rrjetet sociale.

Kovaçevski apelon për deeskalim të ngjarjeve në Kosovë dhe për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në mënyrë paqësore dhe demokratike.

“Përshpejtimi i integrimeve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor është vendimtar, është e vetmja mënyrë për të siguruar progres dhe stabilitet në rajon, si dhe reduktimin e ndikimit të palëve të treta destabilizuese. Rajoni duhet të ecë përpara, qytetarët meritojnë prosperitet, një të ardhme më të mirë dhe një standard më të mirë jetese”, theksoi kryeministri.

Pjesëtarë të policisë së Kosovës janë sulmuar të dielën e 24 shtatorit, në orën 02:34 në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku një polic ka mbetur i vrarë dhe dy janë plagosur. Tre sulmues humbën jetën në shkëmbimin e zjarrit mes policisë dhe serbëve nga veriu i Kosovës dhe sulmi u dënua nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare.

Pas sulmit në të cilin mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, në zonë janë vërejtur forca të përforcuara të Policisë së Kosovës së bashku me KFOR-in, ndërsa pikëkalimi kufitar Jarinje është mbyllur.

Sulmin e armarosur e dënuan Bashkimi Evropian dhe ShBA-të.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier  th se “Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në një deklaratë për media ka thënë se dënon ashpër sulmin.

“Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, thuhet në deklaratën e Borrellit.