Bekteshi: Paga minimale do të rritet për 10%

“Rritja e pagave e tejkalon rritjen e inflacionit, duke filluar nga korriku i këtij viti dhe rritja do të jetë edhe më e madhe deri në fund të vitit”, këtë e tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili theksoi se krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, paga mesatare në vend është rritur për mbi 14 për qind, raporton TV21. Bekteshi thotë se sipas metodologjisë, pritet që në fillim të vitit të ardhshëm, paga minimale të rritet për 10 për qind, transmeton Portalb.mk.

“Kemi rritje të pagës mesatare për 14.1 për qind, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Sipas të gjitha të dhënave, edhe metodologjia që është miratuar nga Qeveria, në pjesën e rritjes së pagave, duke filluar nga paga minimale, në fillim të vitit të ardhshëm, sipas të gjitha të dhënave, edhe ata që i kemi si institucione, paga minimale do të rritet për minimum 10 për qind, sepse kemi 14 për qind rritje të pagës mesatare. Inflacioni pritet të jetë rreth 5 deri 6 për qind në pjesën e ushqimit, e përgjithshmja nga 7 deri në 8 për qind”, tha Bekteshi.

Ndryshe, prej vitit 2017-të, në Maqedoninë e Veriut ka rritje të vazhdueshme të pagës minimale. Kështu, në periudhën 2017/2018, paga minimale ka qenë 12.000 denarë, ndërkaq në vitin 2019-të është rritur në 15.194 denarë. Në mars të vitit 2022, paga minimale arriti në 18.000 denarë, për dallim prej vitit 2016-të kur paga minimale ishte 10.80 denarë. Në mars të vitit 2023 paga minimale ka arritur në 20.175 denarë.