RMV, zbatim i dobët i Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore

Edhe pse kanë kaluar mbi tre vite nga miratimi i Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore në Maqedoninë e Veriut, ai ende nuk është zbatuar në masë të gjerë, veçanërisht në nivel komunal. Ky është përfundimi nga Raportit Mbikqyrës për Zbatimin e Ligjit, i përgatitur nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë (KRNM), raporton Portalb.mk.

Asambleja Kombëtare për Rininë dhe Trupi Kombëtar Këshillimor për Politikat Rinore ende nuk janë themeluar, ndërkohë që Këshillat Rinor Lokal ekzistojnë vetëm në 19 komuna, pra vetëm në 23% të numrit të përgjithshëm të komunave në vend.

Komunat vazhdojnë të tregojnë pak interes për zbatimin e detyrimeve të tyre ligjore dhe një nga sfidat më të mëdha është krijimi i Zyrës Rinore.

Vetëm një komunë ka themeluar si duhet zyrën për të rinj, si vend ku të rinjtë nga komuna do të mund të drejtohen dhe të informohen për çështjet që kanë të bëjnë me rininë, të cilat janë në kompetencë të komunës”, thonë nga KRNM.

Vetëm 7 komuna kanë miratuar një strategji lokale për të rinjtë, pra vetëm 8% e komunave, ndërsa vetëm 4 komuna kanë krijuar dhe miratuar një plan veprimi.

Vetëm 7 komuna kanë hapur qendra rinore deri më tani. Në institucionet shtetërore janë emëruar 57 zyrtarë të rinj, ndërsa në komuna 64. Në përqindje, 79% e komunave e kanë përmbushur këtë detyrim.

Kur është fjala për planifikimin e buxheteve komunale, në vitin 2022 vetëm 7 komuna kanë ndarë mjete specifike për zbatimin e ligjit, ndërsa në vitin 2023, 13 komuna kanë ndarë mjete për përmbushjen e obligimeve të tyre.

Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë për të dytin vit radhazi përgatit një raport të tillë mbikqyrës, me qëllim që të shqyrtojë se deri në çfarë mase janë ofruar mundësitë dhe mekanizmat që të rinjtë të ndikojnë në proceset e krijimit të politikave dhe vendimmarrjes, sepse kështu është e paraparë në Ligjin për Pjesëmarrjen e Rinisë dhe Politikat Rinore.

Ndryshe, numri i të rinjve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për gjashtë përqind në mes të dy regjistrimeve të popullsisë nga viti 2002 deri në vitin 2021, thuhet në analizën me emrin “Rinia dhe Regjistrimi” e cila u promovua në kuadër të konferencës “Kushtet rinore dhe financimi i politikave rinore në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Fondacioni për Demokraci Westminister (VFD), transmeton Portalb.mk.