RMV, për 20 vjet janë shpërngulur mbi 77 mijë të rinj

Numri i të rinjve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për gjashtë përqind në mes të dy regjistrimeve të popullsisë nga viti 2002 deri në vitin 2021, thuhet në analizën me emrin “Rinia dhe Regjistrimi” e cila u promovua në kuadër të konferencës “Kushtet rinore dhe financimi i politikave rinore në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Fondacioni për Demokraci Westminister (VFD), transmeton Portalb.mk.

Vlerësimet janë se mbi 77 mijë të rinj të cilët kanë lindur në RMV, janë larguar jashtë vendit vitet e fundit. Kjo është pothuajse sa popullsia e qytetit të Manastirit (74,550).

Analiza tregon se vendi ka një problem serioz me emigrimin e të rinjve, mbajtjen e popullsisë së re në vend dhe plakjen e përgjithshme të popullsisë. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, përqindja e të rinjve nga numri total i popullsisë është 24 përqind, ndërkaq në 2021 është 18 përqind, që është një rënie për 6 përqind. Në vitin 2002 vendi ka pasur 480,848 të rinj, ndërsa në 2021 ka pasur 326,733. Trendi i shpërnguljes është më i lartë në komunat e Aerodromit, Mavrovës dhe Rostushës, ndërkaq rritje për dy përqind ka vetëm në Likovë.

“Fatkeqësisht, të rinjtë po largohen nga vendi. Për gati 18 vjet, nuk e dinim këtë ose e pamë, por nuk kemi dashur ta shohim. Sot e kemi atë fotografi. Duhet të krijojmë politika dhe t’i zbatojmë ato që ta ndalojmë këtë proces të emigrimit të të rinjve, të krijohen kushte që të duan të qëndrojnë këtu, sepse nuk mund të detyrosh askënd që të qëndrojë”, tha drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski.

Sipas tij, duhet të krijohen politika të cilat do t’i mbajnë të rinjtë në vend. Të dhënat ndërmjet dy regjistrimeve të popullsisë tregojnë se popullsia është ulur për më shumë se 200 mijë.

“Nëse merret numri i të lindurve dhe numri i të vdekurve për këto 20 vite, do të shohim se aty përsëri kemi pasur një rritje pozitive dhe duhej të kishim rritje më të lartë të popullsisë. Nëse i marrim të dhënat  vjetore të fëmijëve të lindur jashtë shtetit, kjo e dhënë rritet në mënyrë të shpejtë ndërsa në vend është në rënie. Kjo tregon se të rinjtë po shpërngulen”, tha Simovski.

“Kur i pyesim të rinjtë përse largohen nga vendi, punësimi dhe edukimi janë shkaqet kryesore, megjithatë edhe klima e përgjithshme në lidhje me mënyrën se si funksionin vetë shteti ndikon në motivin e një të riu që të largohet nga vendi i vet”, tha Petar Barllakovski, drejtor i Forumit Rinor Arsimor (FRA) dhe autor i analizës “Rinia dhe regjistrimi”.

Në konferencë, u promovua edhe analiza “Financimi i pjesëmarrjes rinore dhe politikave”, sipas së cilës Ligji për pjesëmarrje rinore i miratuar para pothuajse 3 vjetëve  parashikon që 0,3 përqind nga buxheti i vendit dhe 0,1 përqind e buxheteve të pushteteve lokale do të shkojnë të rinjtë, por ato shifra nuk realizohen. Pjesa më e madhe e buxhetit të shtetit për të rinjtë i ndahet Agjencisë për Rini dhe Sport, por vetëm 4-5% shpenzohet për programin për të rinj, në krahasim me programin e sportit. Shpenzimet e ARS-së për të rinjtë arrijnë në 0,008% të totalit të shpenzimeve nga buxheti i shtetit. Ky ligj parashikon ngritjen e qendrave rinore në të gjitha komunat më së voni deri në vitin 2025 dhe aktualisht vetëm në 8 komuna të rinjtë kanë qasje në qendrën rinore.

Dona Kosturanova, drejtoresha e Fondacionit për Demokraci Westminster,  thekson se nuk ndahen mjete të mjaftueshme për të mbështetur politikat rinore. Përveç punës cilësore, që të rinjtë të qëndrojnë në vend, arsimi cilësor, infrastruktura dhe përmirësimi i kujdesit ndaj mjedisit jetësor, sporti dhe rekreacioni janë vendimtare.

“Gjithnjë edhe më pak të rinj besojnë se me mundin personal mund të përparojnë në karrierë dhe të kontribuojnë për të mirën e përgjithshme dhe për interesin publik, sepse me libreza partiake, lidhja farefisnore apo përkatësia etnike janë gjithnjë më të rëndësishme se njohuria dhe cilësia” tha Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ditë më parë gjatë shënimit të 2 Gushtit – Ditës së Republikës.