Pa projekte të mëdha, vetëm me servisim të detyrimeve themelore, siç janë ndriçimi ose dezinfektimi, Qyteti i Shkupit ra në vendin e gjashtë sipas vlerës së prokurimeve publike të kryera, tregon kështu anketa e re e Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) lidhur me prokurimet komunale në vitin 2024. Për sa kohë që QKQ i realizon këto anketa vjetore ky është rasti i parë në të cilin njësia më e pasur e qeverisjes lokale në Maqedoni nuk është në vendin e parë sipas tenderëve që ka kryer ose parave që ka shpenzuar për kontrata me kompani për mallra, shërbime ose punime, transmeton Portalb.mk nga Prizma.
Hulumtimi tregon se Gazi Baba është komuna me vlerën më të lartë të prokurimeve publike gjatë vitit të kaluar, gjithsej 11,7 milionë euro. Pas saj vjen Manastiri, Aerodromi, Shtipi dhe Strumica, dhe Qyteti i Shkupit me 7,3 milionë. Në dhjetë vendet e para është edhe Kisella Voda, Kavadari, Kumanova dhe Ohri.
Disa ndërtojnë shkolla, të tjerë paguajnë për energji elektrike
Nga shqyrtimi i kontratave më të mëdha që këto komuna kanë pasur në vitin 2024 mund të shihet se të gjitha kanë nga një ose më shumë projekte të mëdha. Kështu, tenderët më të mëdhenj në Gazi Babë janë për ndërtimin e një shkolle fillore me vlerë prej tre milionë euro, një sistemi për ndriçim publik me vlerë prej 1,4 milionë euro dhe një sistemi kanalizimesh me vlerë prej një milion euro. Manastiri ka një projekt për një çerdhe, Aerodromi për një shkollë dhe një çerdhe, Kumanova për një sallë sporti, Kisella Voda për një shkollë dhe Shtipi për një bulevard dhe një objekt sporti. Këto projekte kushtojnë nga një deri në tre milionë euro.
Tenderi më i madh individual i ndonjë prej këtyre komunave është i Strumicës, për një treg qyteti, me vlerë prej 4,5 milionë euro me “Xhovi Kompani”.
Nga ana tjetër, tenderët më të mëdhenj të Qytetit të Shkupit në të njëjtën periudhë ishin për blerjen e energjisë elektrike prej 3,2 milionë eurosh dhe për mirëmbajtjen e vazhdueshme të shkollave të mesme në vlerë prej 1,1 milionë eurosh. Tenderët e tjerë më të mëdhenj janë për shërbime postare, për spërkatje kundër mushkonjave, mirëmbajtje të sistemeve kompjuterike dhe të tjera. E vetmja kontratë e madhe për një projekt në vitin 2024 ishte ajo për rindërtimin e një pjese të Bulevardit Maqedonia, me vlerë prej 780 mijë eurosh.
Me një buxhet prej 127 milionë eurosh për vitin 2024 Qyteti i Shkupit ka në dispozicion katër deri në pesë herë më shumë para sesa komunat e tjera në dhjetëshen e parë. Por, prokurimet publike nuk e reflektojnë këtë dallim.
Shumë rekord

Të dhënat nga QKQ tregojnë se në vitin 2024 80 komunat në Maqedoni dhe Qyteti i Shkupit kanë lidhur kontrata me vlerë prej 190 milionë euro, që është një shumë rekord në shtatë vitet e fundit. Kjo është për 16 përqind, ose 26 milionë euro, më e lartë se vitin e kaluar, atë 2023. Në vitin 2018 shuma e përgjithshme e prokurimeve publike ishte 97 milionë euro, ose pothuajse gjysma e shumës.
Rritje të vlerës së prokurimeve ka në 52 nga 80 komunat, më së shumti në Gazi Babë, Aerodrom dhe Kisella Vodë, kontratat e të cilave vlejnë dy herë më shumë se vitin e kaluar. Rënia më e madhe e vlerës së tenderëve është regjistruar në Qytetin e Shkupit, nga 19 milionë euro në vitin 2023 në pak më shumë se shtatë milionë në vitin 2024, që është shuma absolutisht më e ulët për kryeqytetin në shtatë vitet e fundit.
Në Komunën Qendër rënia e vlerës së kontratave është 2,2 milionë euro, në Radovish dy milionë dhe në Tetovë një milion e gjysmë.
Në fund të tabelës, sipas vlerës së kontratave të lidhura në vitin 2024, janë komunat Zelenikovë, Demir Hisar dhe Llozovë – nga 150 deri në 300 mijë euro.
Nga analiza e sistemit elektronik të prokurimeve publike mund të shihet se ato kanë shpenzuar para vetëm për mirëmbajtje dhe rikonstruime të vogla të infrastrukturës lokale.
Dominojnë disa kompani të caktuara
Janë lidhur gjithsej 4.006 kontrata me 1.210 kompani. Dhjetë kompanitë me kontratat më të mëdha kanë marrë një të katërtën e shumës së përgjithshme të parave, që është pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, tregon analiza e QKQ.
Kompania që ka fituar kontratat me vlerën më të lartë nga komunat është “Energy Delivery Solutions”, me gjithsej 8,1 milionë euro për shitjen e energjisë elektrike. Pas saj vjen “Fabrika Karposh”, “Xhovi Kompani”, “Pyramid Building”, “Stenton Gradba” dhe “Zhikol”, kontratat e të cilave peshojnë nga katër deri në gjashtë milionë euro, për punime ndërtimore dhe materiale ndërtimore. Në dhjetëshen e parë bën pjesë edhe një kompani tjetër e energjisë elektrike (ESM Shitje) dhe tre kompani të tjera ndërtimi.
Kur bëhet fjalë për konkurrencën, hulumtimi i prokurimeve publike në vetëqeverisjen lokale tregoi edhe se 13 komuna kanë dominim të një kompanie. Ato i dhanë një kompanie mbi gjysmën e parave të tyre për tendera. Edhe pse shumica e tyre janë komuna të vogla, siç janë Dojrani, Vinica dhe Nagoriçani i Vjetër, në këtë listë ka edhe komuna më të mëdha, siç janë Strumica dhe Buteli.