Nga Gjilani në Berlinale dhe Netflix, Ridvan Murati rrëfen rrugëtimin e tij artistik: Nga shtatori do të fillojë seriali i ri mbarëkombëtar

Portalb.mk sot sjell intervistën me Ridvan Muratin, një nga aktorët shqiptarë që ka arritur të ndërtojë një karrierë të suksesshme në teatro zviceranë dhe kinematografi ndërkombëtare. Ai padyshim po bën emër si në Zvicër, ashtu edhe jashtë saj-me talentin, përkushtimin e skenës dhe aftësinë për të sjellë dimension emocional në çdo rol. Suksesi i tij në Berlinale dhe pranimi në Netflix, janë dëshmi të asaj që ëndrrat mund të bëhen realitet përmes punës dhe pasionit. Murati rrëfeu rrugëtimin e tij artistik nga skena e vogël e teatrit deri te premierat në festivale të mëdha si Berlinale. Ai flet për emocionin e të përfaqësuarit kulturën shqiptare jashtë vendit, arritjet që e kanë bërë krenar, si dhe sfidat që ka përballuar në një karrierë ku konkurrenca dhe përgjegjësitë janë të mëdha.

Portalb.mk: Nga Gjilani në Berlinale e tani në Netflix, si ka qenë për ju ky udhëtim artistik?

Ridvan Murati: Me të thënë të drejtën si artist, aktor, skenarist apo regjisorë janë tre festivale filmi në botë që me një farë mënyre ose të paktën për mua, kanë qenë gjithmonë ëndërr, është festivali i Berlinit, Kanit dhe Los Angelos. Berlinin në fakt e kam pasur gjithmonë si ëndërr, edhe arritja në festival ose marrja e lajmit për me qenë si premierë botërore, ka qenë jashtëzakonisht e mirë, po jo vetëm e mirë, ka qenë me një farë mënyre edhe një krenari, e sidomos për disa njerëz që luajnë me një gjuhë të huaj, edhe me një vend të huaj. Kjo ka qenë edhe pak a shumë një pikë shumë e rëndësishme për mua me cekë, gjithashtu e kam cekë edhe në rrjetet e mija sociale, që gjithkush mund të besoj, pavarësisht se ku jeton dhe çfarë rrethana ka tjera, nëse beson në diçka, ka me ja arritur.

Portalb.mk: Çfarë do të thotë për ju të përfaqësoni filma evropianë si aktor shqiptar në skena prestigjioze dhe platforma globale?

Ridvan Murati: Sigurisht që kohëve të fundit neve shqiptarëve po mburremi me shumë artist ndërkombëtar të cilët po na e prezantojnë edhe vendin tonë, duke filluar prej këngëtareve të njohura siç është Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha etj. Gjithashtu edhe sportistë të ndryshëm. Po tash së fundi, po besoj që ka ardhur edhe një fazë tjetër, që edhe artistët tanë shqiptarë regjisorë dhe aktorë, të prezantojnë vendin e tyre sa më mirë që është e mundur. Po besoj që e kemi gjetur një rrugë shumë të mirë, për të prezantuar sa më mirë që është e mundshme edhe vendin ose prejardhjen prej nga jemi ardhur. Unë gjithmonë edhe nëpër intervista të tjera e them me bindje të plotë, që unë ndihem shumë mirë edhe këtu në Zvicër, për mua është një vend i dytë. Zvicra është një vend që më ka dhënë mundësinë edhe unë e respektoj këtë në maksimum. Duke mos e harruar kurrë vendlindjen time edhe vendin ku jam lind dhe jam rritur.

Foto nga arkivi personal i aktorit Ridvan Murati. Foto: Ridvan Murati
Foto nga arkivi personal i aktorit Ridvan Murati. Foto: Ridvan Murati

Portalb.mk: Na tregoni pak për rolin tuaj në film-çfarë karakteri interpretoni dhe çfarë sfidash solli për ju?

Ridvan Murati: Me të thënë të drejtën në ftesën që më është bërë prej një zyrës të kastingut, në të cilin ne jemi të anëtarësuar, regjistruar dhe për shumë filma nganjëherë na ftojnë. Në takimin e parë, nuk është ashtu që e kam marrë shumë serioz me të thënë të drejtën, por në takimin e parë më regjisoren, ideja të cilën ajo e ka shprehur, ose mënyrën e të luajturit si aktor më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Sepse ajo tentojnte ta bëjë një film, me një farë lloj mënyre si një lloj drame e cila duhet pak a shumë ta jep atmosferën që gjithçka është reale. Unë gjithmonë edhe si aktorë edhe në teatër edhe në filma të tjerë, aktrimi i cili mua më ka pëlqyer më së shumti ka qenë aktrimi më i thjeshti i mundshëm, pa e hiperbolizuar, pa e bërë dramë, por me luajt pak a shumë një normalitet. Kur e kam lexuar se çfarë po thotë regjisorja atëherë më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Por nuk është që kam pritur që ka me qenë diçka jashtëzakonisht madhështore, ose filmi ka me bë një bujë kaq të madhe. Mandej gjatë provave të para, gjatë atmosferës të cilën ne e kemi pasur me ekipin, e kam parë që waa, filmi paska me qenë diçka ma interesant. Gjithashtu edhe aktorja kryesore që e ka luajtur Leonie Benesch, është një prej aktoreve më të njohura në Gjermani. Ajo ka qenë e zgjedhur edhe si aktorja më e mirë në vitin 2023, me një prej filmave që ka qenë në top listën e tre filma më të mirë që janë zgjedhur në Los Angelos.

Kur e kam kuptuar që edhe ajo është në rol kryesor, atëherë më ka pëlqyer edhe më shumë. Unë jam aty si një pacient bashkë me bashkëshorten time, me cilën ka shpeshherë sfida. Aktorja kryesore bashkë me ne, edhe gjithë të tjerët në një farë mënyre janë pacient, përveç aktores kryesore, e cila e luan një motër medicinale. Filmi ka një temë që luhet brenda një dite D.m.th krejt ngjarja ndodh brenda një ndërrimi të punës për atë dhe quhet Latet Shift. Filmi është një bashkëprodhim Zvicrano-Gjerman, dhe gjitha ato ngjarje, të cilat i ka një dramë, e cila e ka prekë jo vetëm Zvicrën e Gjermaninë, me cilën sipas gjitha gjasave pas disa viteve ka me pas shumë problem në anën e mjekësisë, por e ka prek edhe një pjesë shumë të madhe të botës përfshirë: Spanjën, Francë, Italinë, tash ka shkuar edhe në Tajvan, Londër, Portugali, në Amerikën Latine, edhe po pritet të shfaqet edhe në shumë vende të tjera, të cilët e kanë sinkronizuar edhe kanë filluar me shfaqë në kinematë e tyre. Për këtë aspekt, filmi para disa ditëve ka filluar edhe në Netflix. Momentalisht është e mundur të shihet vetëm në Netflix në Zvicër dhe në Gjermani, për arsye se nëpër vendet e tjera, momentalisht është ende nëpër kinema, dhe nuk dëshirojnë që të bëjnë publike dhe në Netflix. Por besoj se shumë shpejt, ndoshta pas dy ose tre muajve do të jetë edhe nëpër gjithë botën në Netflix.

Foto nga arkivi personal i aktorit Ridvan Murati. Foto: Ridvan Murati
Foto nga arkivi personal i aktorit Ridvan Murati. Foto: Ridvan Murati

Portalb.mk: Si erdhi ftesa për filmin “Heldin” dhe çfarë ju tërhoqi te ky projekt?

Ridvan Murati: Ashtu siç thash ne jemi të regjistruar me një kasting byro, edhe aktorja në momentin që e ka pa figurën time ju duk diçka interesant, na kanë ftuar në audicion, edhe ne kem qenë në audicion, dhe aty e ka parë ndoshta që i përkas këtij roli.

Portalb.mk: Çfarë mesazhi përçon filmi, pos këtyre që na shpjeguat?

Ridvan Murati: Mesazhi i filmit është që është shumë mesazh, ndoshta jo politik, po është mesazh për shëndetësinë botërore, që personeli mjekësor, sidomos motrat dhe vëllezërit medicinal, të kenë një mbështetje shumë më të madhe, të kenë sa më shumë që është e mundshme, sepse momentalisht ka jashtëzakonisht pak. Edhe njerëzit po kanë hamendje për ta kryer një profesion të tillë, sepse po ballafaqohen me sfida të ndryshme, me pagesa të ulëta, me orë të tëra shtesë, edhe me një staf jashtëzakonisht të vogël, edhe për këtë çështje filmi “Heldin”, e ka figuruar në mënyrë më të mirë të mundshme, se çka mund të ndodhë nëse një njeri duhet ti kontrollon mbi njëzetë pacientë brenda një ndërrimi të tij, dhe të merret me secilin për gjitha terapitë të cilat i ka.

Portalb.mk: Si e përkufizoni suksesin sot dhe sa ju ka kushtuar rruga deri këtu?

Ridvan Murati: Ka qenë një rrugë e gjatë, sigurisht ne kemi filluar prej teatrove të qytetit të Gjilanit, mandej Prishtinë Tetovë, Shkup, Dibër, nëpër festivale të ndryshme, nëpër seriale të ndryshme, nëpër lloj lloj sfida të ndryshme. Mandej prej vitit 2009, unë gjendem edhe në shtetin zviceran, këtu punoj edhe në një teatër në Bazel. Gjithashtu edhe nëpër filma të ndryshëm, seriale të ndryshme edhe në Zvicër, është një rrugë shumë e gjatë, është një karrierë shumë e gjatë, është një sfidë shumë e madhe, por sfida më e madhe ndoshta është edhe të luash në gjuhë tjera dhe të adaptohesh në sisteme të shteteve të tjera.

Portalb.mk: Sa është e vështirë të aktrosh në gjuhë tjetër?

Ridvan Murati: Është një ndër gjërat më të vështira, edhe në teatrin ku luaj, janë gjithë zviceran, e kemi pas një herë një skenë ku është dashtur me luajt me ma uruar ditëlindjen në gjuhën shqipe, edhe gjithë aktorët çdo herë kur e kemi ndonjë reprizë po të asaj shfaqjeje, ata gjithmonë kanë probleme, dhe unë gjithmonë u ‘a them a e shihni sa e vështirë edhe të luani në një gjuhë tjetër, mandej qeshim së bashku. Është e vështirë definitivisht, por siç e potencova me mund, përkushtim edhe me vullnet, arrihet çdo gjë.

Portalb.mk: Sa është e vështirë të jesh shqiptari i vetëm në një kast aktorësh në gjuhë të tjera, kultura tjera, komunitete të tjera?

Ridvan Murati: Unë mendoj që janë shumë gjëra vullneti, dëshira. Gjithashtu unë edhe si student kamë qenë një prej aktorëve që kam qenë gjithmonë i saktë nëpër termine, në prova i përgatitur, kjo më ka bërë sidomos këtu në shtetin zviceran ku preciziteti është një ndër çështjet kryesore këtu. Më ka bërë që të më ftojnë edhe nëpër evente të tjera ose nëpër projekte të tjera, sepse një ndër gjërat kryesore këtu është të jesh i rregullt, të jesh serioz në punën që bën. Mandej janë edhe gjërat e tjera siç është talenti, puna, përkushtim, aftësia të cilën e ke.

Foto nga arkivi personal i aktorit Ridvan Murati. Foto: Ridvan Murati
Foto nga arkivi personal i aktorit Ridvan Murati. Foto: Ridvan Murati

Portalb.mk: A mendoni se ky sukses do të hapë më shumë mundësi për aktorët shqiptarë në tregjet ndërkombëtare?

Ridvan Murati: Po, Po, unë mendoj pikërisht për këtë, sepse edhe në premierën e filmit në Berlin, ka qenë një pritje jashtëzakonisht e madhe. Kanë qenë mbi 800 persona që e kanë parë premierën, edhe aty mandej kemi pas kontakte me producent me aktorë, me regjisor të tjerë. Unë besoj që ka filluar një treg jashtëzakonisht shumë i madh i producentëve ndërkombëtar për të kërkuar, për të zbuluar aktorë që vinë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, që janë me nacionalitete shqiptare.

 Portalb.mk: A pritet që ky film të shfaqet edhe nëpër vendet e rajonit?

Ridvan Murati: Unë po besoj që po, sepse momentalisht sa po e shoh unë, na shkruajnë edhe në një grup të cilën e kemi bashkë me regjisoren, thuajse çdo javë, na prezantojnë që ka filluar në një shtet tjetër, deri sa ka filluar edhe në Tajvan të shfaqet. Kështu që besoj që shumë shpejtë kanë me arritur marrëveshje të jetë edhe nëpër shtetet e Ballkanit.

Portalb.mk: Çfarë ju shtyu të krijoni organizatën kulturore “Plan K” dhe cilat janë disa nga projektet më domethënëse që keni realizuar me të?

Ridvan Murati: Unë prej vitit 2017 deri në vitin 2019 kam qenë si drejtor i Qendrës Kulturore Theaterfalle në Cyrih, të cilën e ka udhëheqë Ministria e Diasporës të Kosovës, edhe aty kam parë që duhet të hapet edhe një shoqatë kulturore e cila organizon evente të ndryshme, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për shtetasit e tjerë. Kështu ne kemi filluar me shumë organizime të ndryshme siç kanë qenë disa seriale si “O sa mirë”, mandej “Çka je be tu fol”, e tash së fundmi është edicioni i katër i një ndër festivaleve thuajse ma të mëdha jo vetëm ne Zvicër por edhe nëpër shtetet e tjera siç është Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, është “Zurih Shqip Up Comedy Festival”. Këtë vit është edicioni i katërt, jemi rritë prej 500 personave, kemi mbërri diku mbi dy mijë e diçka. Këtë vit presim afër tre mijë njerëz që kanë me na vizitu. E kemi bërë prej një dit në dy ditë, është një ekip jashtëzakonisht i madh, janë artist nga gjithë trevat tona, edhe nga Gjermania, Zvicra, Anglia etj etj. Është një publik e përzier prej shumë nacionaliteteve. Luhet në dy ose tre gjuhë, të paktën në dy gjermanisht dhe shqip. Këtë vit festivalin e kemi me 31 tetor dhe 1 nëntor në Cyrih të Zvicrës.

Foto nga arkivi personal i aktorit Ridvan Murati. Foto: Ridvan Murati
Foto nga arkivi personal i aktorit Ridvan Murati. Foto: Ridvan Murati

Portalb.mk: Cila është përvoja jote në serialin “O sa mirë”, sigurisht ka qenë i mirëpritur nga publiku?

Ridvan Murati: Patjetër, Patjetër unë vet e kam shikuar serialin deri në kohën kur vet kam hyrë si artist. Me të thënë të drejtën nuk e kam besuar që ka qenë aq i shikuar, por pas episodit të parë dhe të dytë të cilën unë kam filluar të luaj, e kam parë që seriali qenka jashtëzakonisht i shikuar. Mandej kam hyrë për dy tre episoda dhe kam mbetur mandej diku mbi 100 episoda, të cilat i kemi luajtur deri sa na ndali pandemia, përndryshe nuk do ta ndalnim.

Portalb.mk: Si e ndieni përgjegjësinë për të përfaqësuar kulturën shqiptare në produksione evropiane?

Ridvan Murati: Është një përgjegjësi jo vetëm personale, po thuajse edhe kombëtare sepse siç kanë filluar disa sportist tanë të ndryshëm siç janë Xhaka, Shaqiri e shumë të tjerë, me na shfaqë një fytyrë tjetër, të shqiptarëve në Evropë, të cilët kanë bërë një nam shumë të madh, shumë të mirë. Ne po mundohemi tash edhe nëpërmjet artit, të shfaqim edhe ne atë anën pozitive të cilën e kemi, edhe po besoj që çdo ditë e më shumë thuajse po vjen shekulli ynë dhe po besoj që ky është shekulli i shqiptarëve në Evropë.

Portalb.mk: Sa e lehtë apo e vështirë është të ruash identitetin artistik shqiptar në tregun ndërkombëtar?

Ridvan Murati: Unë mendoj që tash në këtë kohë është jashtëzakonisht shumë e lehtë. Askush nuk nguron të tregojë se nga vjen edhe çfarë nacionaliteti ka, kështu që është shumë lehtë, por është edhe mirë gjithmonë ta përfaqësosh jo vetëm vendin prej nga vjen, por edhe vendin ku jeton. Siç e thashë më herët për mua janë dy vendet të mijat edhe ndihem si këtu, po edhe në Kosovë si në shtëpinë time.

Portalb.mk: Cila është përvoja e juaj pasi siç e cekët jeni prezantuar edhe në teatrot e Maqedonisë nëpër projekte të ndryshme?

Ridvan Murati: Unë me Maqedoninë, kam jashtëzakonisht një lidhje emocionale, ndoshta edhe pse atje i kam përfunduar studimet, kam pasur repriza, shfaqje të ndryshme. Kam një lidhje shumë, shumë shumë të mirë dhe gjithmonë kur flitet për Maqedoninë, për shqiptarët e Maqedonisë, unë e kam një respekt të veçantë, këtë e them me bindje të plotë.

Portalb.mk: Çfarë jeni duke punuar për momentin dhe çfarë mund të presim nga ju?

Ridvan Murati: Për momentin është festivali të cilin jemi duke e përgatitur, që ka me qenë sivjet një edicion jashtëzakonisht i madh. Gjithashtu është një surprizë të cilën do tua bëj publike juve për herë të parë, ne nga shtatori do ta fillojmë një serial të ri mbarë kombëtar që përfshihet në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, diasporë, edhe është një serial që është investuar qe dy vite në të, kështu që prej shtatorit do të jetë një surprizë për gjithë publikun mbarëkombëtar.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për artistët e rinj që ëndërrojnë të jenë pjesë e skenave ndërkombëtare?

Ridvan Murati: Mesazhi im do të ishte të mos heqin dorë kurrë edhe nëse gjinden në momentet më të vështira, por të punojnë, të vazhdojnë të ëndërrojnë, sepse çdo ëndërr mund të bëhet realitet nëse ti vet beson në të. Prandaj punoni, sepse talenti është vetëm një pjesë e vogël e suksesit, nëse nuk arrini të punoni talenti nuk është asgjë.