Komiteti i Helsinkit: Përgjegjësi për policët që e dinin se gratë e vrara nga Koçani dhe Kumanova kanë raportuar dhunë dhe nuk i kanë mbrojtur

Urgjentisht të fillojë hetimi për përgjegjësinë e zyrtarëve në lidhje me vrasjen mizore të gruas nga Koçani me 42 plagë me thikë, si dhe me vrasjen e dyfishtë në Kumanovë ku një burrë vrau gruan dhe nënën e saj, gjë që zyrtarët e dinin paraprakisht se gratë ishin nën dhunë të vazhdueshme nga vrasësit, kërkoi Komiteti i Helsinkit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, transmeton Portalb.mk.

Komiteti i Helsinkit kërkon që të dënohen zyrtarët që i kanë neglizhuar këto raporte nga viktimat,  para se të vuajnë.

Dy vrasjet kanë ndodhur brenda një muaji dhe kanë të përbashkët faktin se viktimat kanë denoncuar në polici abuzimin dhe dhunën afatgjatë në familje.

“Mosmarrja e masave të duhura nga institucionet kompetente dhe moszbatimi i drejtë apo moszbatimi i ligjeve sjell vrasje, pra femicid si forma më ekstreme e dhunës ndaj gruas, e cila zakonisht kryhet nga mashkulli. Viktima është gjithmonë një grua. Analiza e Rrjetit Nacional tregoi se në periudhën 2017-2020 në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 22 femicide. Në shumicën e rasteve të analizuara, vrasja është kryer nga një partner aktual ose ish-bashkëshort ose partner jashtëmartesor me të cilin viktima jetonte bashkë. Në më shumë se 80% të rasteve, vrasja ka ndodhur ose në shtëpinë e përbashkët ose, nëse janë ndarë, në shtëpinë e viktimës. Të dhënat nga hulumtimi i OSBE-së, i publikuar në vitin 2019, janë alarmante, se gratë shumë rrallë e raportojnë dhunën që i paraprin, gjegjësisht raportohen vetëm 2% e incidenteve të dhunshme dhe zakonisht raportohen më të rëndat”, thonë nga Helsinki, ku shtojnë se këto gjetje janë tregues të qartë të mosbesimit ndaj institucioneve dhe mosbesimit të përgjithshëm ndaj sistemit të mbrojtjes.

Mosndëshkimi dhe/ose ndëshkimi joadekuat i autorëve të dhunës dërgon një mesazh që fal sjelljen e tyre të dhunshme dhe i inkurajon ata të vazhdojnë të kryejnë dhunë, paralajmërojnë ata.

Ndërkohë MPB ka mohuar se nuk ka vepruar, duke shtuar se rasti i Koçanit, me material zyrtar të bashkangjitur dhe me datë 05.06.2023 është plotësuar njoftimi dhe i është dorëzuar edhe Prokurorisë kompetente me material zyrtar të bashkangjitur.

“Ministria e Punëve të Brendshme gjithmonë vepron sipas raporteve të pranuara dhe ndërmerren masa dhe aktivitete në koordinim me institucionet tjera kompetente. Apelojmë që të mos përhapet dezinformata”, thanë nga MPB.

Pardje në Koçan, Usein Rashidov me 42 plagë me thikë vrau Tankica Mladenovskën nga Koçani, e cila paraprakisht e kishte paraqitur në polici për shantazh të vazhdueshëm dhe zhvatje të parave. Pavarësisht nga këto njohuri, policia nuk e ka mbrojtur fare denoncuesen. Përkundrazi, ia lanë Rashidovit të bënte çfarë të donte me të.

Një vrasje e tillë brutale ka ndodhur pikërisht 30 vjet më parë. Në qershor të vitit 1993, Mile Haxhiski vrau të dashurën e tij Meri Joshevska me 40 plagë me thikë. Ai arriti të arratisej dhe ishte zhdukur për 20 vjet.

Në vitin 2013, ai u ekstradua nga autoritetet franceze, pasi aty u arrestua me dyshimin se ishte pjesëtar i grupit të famshëm kriminal “Pink panter”, por edhe nga aty arriti të arratisej, për t’u arrestuar sërish dhe ekstraduar në Maqedoni.

Në vitin 2015, sipas ligjit të vjetër, ai u dënua me 20 vjet burg.