Të gjitha rrjetet sociale përpos Twitter-it luftojnë dezinformatat, BE paralajmëron Elon Musk

BE-ja ka lëshuar një paralajmërim për Elon Musk që të respektojë ligjet e reja gjithëpërfshirëse për lajmet e rreme dhe propagandën ruse, pasi X – i njohur më parë si Twitter – u vlerësua se kishte raportin më të lartë të posteve me dezinformata nga të gjitha platformat e mëdha të rrjeteve sociale, shkruan The Guardian, transmeton Portalb.mk.

Janë hequr me miliona profile të rreme nga TikTok dhe LinkedIn, si pasojë e raportit të parë të BE që në shkallë të gjerë ka hulumtuar lajmet e rreme në rrjetet sociale, duke regjistruar postime që konsiderohen të paligjshme në të gjithë BE-në sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), i cili hyri në fuqi në gusht të këtij viti.

Facebook ishte shpërndarësi i dytë më i madh i dezinformatave, mirëpo ai dhe gjigantë të tjerë të teknologjisë janë regjistruar në kodin e praktikës që BE-ja hartoi për të siguruar që ata të mund të përgatiteshin në kohë për të vepruar brenda kufijve të ligjeve të reja.

Twitter la kodin e praktikës, por sipas ligjit të ri është i detyruar të respektojë rregullat ose platforma do të ndalohet në të gjithë BE-në.

“Musk duhet ta dijë se nuk mundet t’ia hedhë paq duke u larguar nga kodi i praktikës,” tha komisionerja evropiane Vera Jourova, e cila është përgjegjëse për zbatimin e kodit të ri kundër dezinformimit.

BE-ja është veçanërisht e shqetësuar për propagandën e vazhdueshme ruse në mediat sociale përpara zgjedhjeve kryesore në Sllovaki të dielën dhe në Poloni më 15 tetor.

“Shteti rus është përfshirë në luftën e ideve për të ndotur hapësirën tonë të informacionit me gjysmë të vërtetën dhe gënjeshtra për të krijuar një imazh të rremë se demokracia nuk është më e mirë se autokracia,” tha Jourova.

Pas rezultateve të raportit, pronari i LinkedIn, Microsoft, ndaloi krijimin e 6.7 milion profileve të rreme dhe hoqi 24,000 postime të rreme.

YouTube, në pronësi të Google, i tha BE-së se kishte hequr më shumë se “400 kanale të përfshira në operacionet e koordinuara të ndikimit të lidhura me Agjencinë e Kërkimeve të Internetit të sponsorizuar nga shteti rus”.

Tiktok hoqi pothuajse 6 milionë llogari të rreme dhe 410 reklama të paverifikueshme.

Google hoqi reklamat nga pothuajse 300 sajte të lidhura me “faqet propagandistike të financuara nga shteti” dhe refuzoi më shumë se 140,000 reklamues politikë për “proceset e dështuar të verifikimit të identitetit”.

Jourova tha se raporti ishte dëshmi se Rusia ishte e përfshirë në një “luftë idesh” dhe se dezinformimi i Kremlinit ishte ende shumë i përhapur në platformat e mëdha, duke vazhduar më tej me supozimin se Kremlini kishte zgjedhur Sllovakinë më shumë se Poloninë si “tokë pjellore” për ndarje dhe ndërhyrje në demokraci.