Komuna me tender të ri për murin e Banjës së Tetovës, do të ndërtohen mure të vogla mbajtëse

Krahas punimeve për murin mbajtës të Banjës së Tetovës që vijojnë në terren përmes projektit të UNDP-së, Komuna e Tetovës së fundmi ka hapur tender të ri për këtë pjesë. Siç sqarojnë nga komuna për Portalb.mk se përveç punimeve aktuale do të ndërtohen edhe mure të vogla mbajtëse aty ku ka nevojë.

Përgjatë rrugës së Banjës së Tetovës për më shumë se një muaj po vijojnë punimet për ndërtimin e murit mbajtës të dheut rrëshqitës. Ky mur është në  gjatësi prej rreth 120 metra dhe realizohet nga UNDP në kuadër të Projektit për përmirësimin e rezistencës ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut. Ndërkaq në atë pjesë gjatë kohës kur punohet lëvizja me vetura është e kufizuar.

Krahas kësaj, më 21 shtator të këtij viti Komuna e Tetovës ka hapur tender për punime për murin mbajtës të Banjës, i cili është i hapur deri më 10 tetor.

Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Tetovës se për çfarë është ky tender. Nga atje sqaruan se do të pastrohet dheu si dhe aty ku ka nevojë do të ndërtohen mure të vogla mbajtëse.

“Vlera do të kap deri në 3 milionë denarë dhe rrëshqitjet e dheut ku kanë ndodhur në pjesët e mëposhtme, cilado kompani që do e fiton të pastrojë ato zona, do të vendosë një tel mbajtës dhe vende vende ku do të ketë nevojë mure të vogla mbajtëse, do të jetë një punë shtesë e asaj që është duke u punuar”, tha Besar Durmishi, kryetar i Këshillit Komunal i cili sqaroi se e njëjta do të bëhet me fonde të Komunës.

Punimet për murin mbajtës përgjatë rrugës së Banjës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Punimet për murin mbajtës përgjatë rrugës së Banjës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se me propozim të Aleancës për Shqiptarët në buxhetin e shtetit për vitin 2023 janë ndarë 3 milionë denarë për këtë mur mbrojtës.

Rrëshqitja e dheut përgjatë rrugës për në Banjën e Tetovës mbetet problem i kësaj zone, i cili rrezikon qytetarët dhe shpesh bllokon lëvizjen në atë aks rrugor. Dheu që rrëshqet përgjatë kësaj rruge përbën rrezik për qytetarët në vazhdimësi, ndërsa situata rrënohet kur ka reshje të shiut ku dheu dhe gurët dalin dhe bllokojnë komplet rrugën.

Kjo rrugë, edhe pse e rregulluar në vitin 2017, megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth, duke bllokuar pjesërisht apo tërësisht kalimin.

Ndërkaq me përfundimin e punimeve që realizohen aty, problem pritet të zgjidhet.