Këshilli i Gostivarit vendosi që qytetarët të lirohen nga pagesa e faturave të ujit për muajin gusht

Këshilli i Komunës së Gostivarit vendosi që qytetarët të lirohen nga pagesa e faturave të ujit për muajin gusht. Vendimi u miratua me unanimitet, si masë pas krizës së furnizimit me ujë që përfshiu qytetin gjatë kësaj vere, transmeton Portalb.mk.

Me votimin unanim, Këshilli i Gostivarit i dha mbështetje të plotë kësaj mase në favor të qytetarëve të prekur nga kriza e furnizimit me ujë.

Kriza e ujit në Gostivar shpërtheu në korrik, pasi u rrit numri i qytetarëve që raportuan probleme shëndetësore dhe kërkuan ndihmë mjekësore. Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit të ujësjellësit për pije, pas dyshimeve për ndotje, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik rekomandoi që uji të mos përdorej as për përgatitjen e ushqimit.

Rasti u shndërrua më pas në hetim penal. Prokuroria nisi hetim ndaj ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani, drejtorit teknik Leon Nuredini dhe përgjegjësit të ujësjellësit Vadedin Dervishi, të cilët u arrestuan dhe ndaj tyre u caktua paraburgim 30-ditor. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kishin bërë të papërdorshëm ujin për pije, ndërsa analizat kishin treguar ndotje të rëndë bakteriale. Qeveria shpalli gjithashtu gjendje krize 30-ditore në Gostivar dhe kërkoi zbardhjen e plotë të rastit.