Këshilli gjyqësor mbajti seancë për konflikt interesash të ish-kryetares Dameva

Diskutime dhe akuza të ndërsjella përsëri po ndodhin në Këshillin Gjyqësor. Në seancën e sotme si pikë në rend ditë u vendos konflikti eventual i interesit të kryetares së shkarkuar Vesna Dameva. Për Damevën ka pasur akuza se ka marrë pjesë në procedura për caktim të përgjegjësisë së gjykatësve, ku si palë është paraqitur bashkëshorti i saj, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Sipas Këshillit Gjyqësor, bashkëshorti i Damevës, Mlladen Damev, kryetar i Këshillit drejtues dhe drejtor gjeneral i “Tregut të Shkupit” është paraqitur si i dëmtuar dhe si paditës në disa lëndë që janë zhvilluar në Gjykatën Penale dhe atë të Apelit.

Dameva arsyetohej se ka dorëzuar dy njoftime deri te këshilli pasi ka marrë vesh se bashkëshorti i saj paraqitet si palë në procedura, tha se nuk ka kërkuar përjashtim nga gjykimi sepse ka qenë e sigurt se do të vendosë në mënyrë të paanshme dhe profesionale dhe mbi atë nëse duhej të përjashtohet apo jo duhej të vendosë Këshilli. Ajo më tej arsyetohej se në shtëpi me bashkëshortin nuk flasin për punë.

“Ne në shtëpi nuk bisedojmë për gjëra zyrtare, bashkëshorti im nuk ka obligim ligjor që të më tregojë mua për marrëdhëniet e tij afariste. As ai nuk e din se çfarë procedurash zhvilloj unë, e as unë nuk e di se çfarë procedurash gjyqësore zhvillohen”, tha Dameva dhe shtoi: “më shkundni të tërën, por e njëjta të vlejë edhe për anëtarët e tjerë”.

Pavlina Cërvenskovska, anëtare dhe ish-kryetare e Këshillit Gjyqësor tha se ka qenë obligim i Damevës kur është bërë anëtare e Këshillit Gjyqësor të pyesë se ku ka lëndë bashkëshorti i saj.

Dameva para fillimit të seancës në të cilën u diskutua mbi punën e saj akuzoi se Këshilli ka qasje selektive ndaj mediave, gjegjësisht se materialet për seancën e sotme janë dërguar vetëm te një portal, e jo edhe te mediat e tjera.

Çështja e konfliktit eventual të interesave u anulua për seancën e ardhshme.

Ndryshe, pas shkarkimit kontrovers të Damevës me vetëm shtatë vota pro, Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri.

Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat e djeshme me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.