Këshilli Gjyqësor: Aktet e miratuara në kohën e Georgievit nuk janë të pavlefshme, Gjykata Administrative vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e tyre

Të gjitha aktet e miratuara gjatë kohës kur kryetar i Këshillit Gjyqësor ishte Sashko Georgiev janë në fuqi, thonë përmes një komunikate për media nga Këshilli, pasi në opinion u ngrit dyshimi a duhet të bëhen të pavlefshme për shkak të aktvendimit të Gjykatës Administrative se Vesna Dameva është shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme nga funksioni, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me deklaratat e djeshme publike që hapin dyshime për pavlefshmërinë e të gjitha akteve të nxjerra në periudhën nga zgjedhja e Sashko Georgiev për kryetar të Këshillit Gjyqësor të RMV-së deri në momentin e dorëheqjes së tij, ndërsa për aktgjykimin e plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm të Gjykatës Administrative, Këshilli Gjyqësor duhet të vendosë me mendimin se të gjitha aktet e miratuara gjatë kësaj periudhe janë në fuqi ligjore. Aktvendimi i Gjykatës Administrative nuk e vë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të Këshillit Gjyqësor si organ kolektiv, sepse anulohet vendimi për shkarkimin e presidentit aktual”, kanë thënë nga Këshilli.

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut me 3 janar mbajti seancë të jashtëzakonshme në të cilën konstatoi dorëheqjen e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev dhe veproi sipas vendimit të Gjykatës Administrative, gjegjësisht në pozitën e kryetarit vendosi kryetaren e shkarkuar, Vesna Dameva.

Pas rikthimit në pozitë, Dameva tha se beson që aktgjykimi i Gjykatës Administrative është hapi i parë drejt, shpresës se drejtësia është e arritshme. Ajo theksoi që pret me rikthimin e saj, të rikthehet edhe besueshmëria e qytetarëve në gjyqësor.

“Puna jonë dhe të gjitha angazhimet do të mbeten deklarative nëse drejtësia nuk është e dukshme. Unë jam për të vërtetën, pavarësisht se kush e thotë. Unë jam për drejtësi, pa dallim për kë është”, tha Dameva.

Dameva e fitoi mosmarrëveshjen në Gjykatën Administrative, pasi ngriti padi pas shkarkimit të saj kontrovers, i cili shkaktoi ortek reagimesh si në opinionin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Dameva u shkarkua më 26 prill me vetëm shtatë vota pro, pas çka Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri.

Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat e djeshme me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.