Beteja për burime minerale të rralla dhe kritike: varësi, politikë dhe interesa biznesi

Shkruan: Sonja Stojadinoviq për Respublica

Plani ambicioz i ekonomisë evropiane për një kalim të plotë në të ashtuquajturën energji të gjelbër dikton ritmin dhe kërkesën për lëndë të para natyrore, por thekson edhe varësinë e BE-së nga Kina.

Shkruan: Sonja Stojadinoviq. Foto e marrë me leje nga Respublica
Shkruan: Sonja Stojadinoviq. Foto e marrë me leje nga Respublica

Në fillim të muajit dhjetor, Parlamenti Evropian miratoi planin për zbatimin e legjislacionit për burimet minerale kritike dhe të rralla. Ky legjislacion për ata që nuk preken drejtpërdrejt nga minierat dhe metalurgjia, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, por nëse e shikon nga disa aspekte, jeta e përditshme e njerëzve varet shumë nga lëndët e para që përmenden në këtë ligj.

Critical Raw Material Act (CRMA) ose Legjislacioni për burime minerale kritike është një pjesë integrale e Agjendës së madhe të gjelbër të BE-së për dekarbonizimin e industrisë dhe reduktimin maksimal të përdorimit të karburanteve fosile. Vetë procesi i dekaronizimit kërkon rritje të përdorimit të baterive, paneleve diellore, magnetëve të përhershëm, ndërkohë që prodhimi i këtyre produkteve krijon një nevojë edhe më të madhe për lëndë të para të rralla, nxjerrjen e tyre nga toka dhe përpunimin.

Plani ambicioz i ekonomisë evropiane për një kalim të plotë në të ashtuquajturën energji të gjelbër dikton ritmin dhe kërkesën për lëndë të para natyrore, por thekson edhe varësinë e BE-së nga Kina. Në listën e vendeve që kanë depozita të burimeve minerale kritike, Kina është lider dhe furnizon tregun botëror me një pjesëmarrje prej 60%, ndërsa varësia e BE-së nga importet e lëndëve të para nga Kina arrin pothuajse 90%.

Cilat janë lëndët e para nga të cilat varet BE-ja dhe ku përdoren ato?

Me përjashtim të procesit të dekarbonizimit, metalet nga lëndët e para të rralla përdoren në të gjitha industritë, për prodhimin e telefonave celularë, teknologjitë e komunikimit, industrinë e automobilave (makinat elektrike), teknologjitë strategjike të ushtrisë dhe industrinë hapësinore.

Lista e lëndëve të para kritike dhe të rralla përmban 34 metale që klasifikohen në grupe të lëndëve të para strategjike dhe kritike. Lista e lëndëve të para strategjike përfshin këto metale: alumin, bakër, kobalt, litium, galium, mangan, germanium, grafit natyral, antimoni, bismut, titan, bor, tungsten. Lëndët e para të rralla përmbajnë metale që rrallë gjenden në tokë si hafnium, nobium, neobidium, stroncium, berilium, vanadium, koks (një produkt i karburantit të qymyrit).

Nga kjo listë e lëndëve të para, Kina mban 100% të tregut të përpunimit të grafitit natyror, 90% të manganit, 70% të kobaltit, 60% të litiumit dhe 40% të bakrit. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian është importuesi më i madh i koksit, i cili përdoret si lëndë djegëse në përpunimin e metaleve, 76% e zinkut në tregun botëror importohet nga SHBA-ja.

Varësia e botës, veçanërisht e BE-së dhe SHBA-së, nga minierat dhe përpunimi i Kinës bazohet në faktin se Kina, përveç 60% të përpunimit të saj të lëndëve të para minerale të rralla që përdoren si përbërës në teknologjitë e larta, duke përfshirë telefonat inteligjentë dhe kompjuterët, në tregun botëror të litiumit Kina zë 13%, ndërsa përpunon 35% të kërkesës botërore për nikel, 58% për litium dhe 70% për kobalt.

Varësia e BE-së dhe SHBA-së nga këndi i numrave është e dukshme, plus nëse shtohet fakti i rritjes së shpejtë të ekonomisë së Kinës dhe përhapja e saj në mbarë botën përmes iniciativës Një brez, një rrugë që përfshin edhe investime në metalurgjinë e ngjyrosur dhe të zezë dhe investimet në sektorin e minierave. Shembuj të këtyre aktiviteteve të Kinës i kemi këtu dhe në fqinjësi, në Serbi. Në vendin tonë, Kina është e pranishme në Hekuranën e Shkupit, ndërsa në Serbi është e pranishme në Hekuranën e Smederevës (HBIS)  dhe qendra minerare dhe pellgu Bor RTB, në Serbinë lindore ku koncerni kinez Zigjin (Zijin)  ka përqindjen dominuese të aksioneve në RTB Bor, minierën më të madhe të bakrit në Evropë.

Përpjekje për të kufizuar varësinë nga Kina

Me legjislacionin për mineralet kritike, BE-ja synon të kufizojë varësinë e saj nga burimet minerale të zotëruara nga Kina. Edhe pse nuk thuhet shprehimisht në legjislacion, por thotë: varësia nga palët e treta, fokusi është kthyer në mënyrë gjysmë diskrete drejt Kinës.

Objektivat që komuniteti i ka vendosur vetes deri në vitin 2030 për të reduktuar varësinë janë këto: nxjerrja, d.m.th. minierat të jenë të paktën 10% në vit nga minierat në BE, të paktën 40% e përpunimit në vit nga fabrikat në BE, të paktën 25% e nevojave për metal në vit nga riciklimi. Lidhur me varësinë nga importet, BE-ja planifikon të ulë në 65% në vit për lëndët e para strategjike pa specifikuar se nga cilat vende të treta BE-ja dëshiron të bëhet e pavarur.

Një nga përzgjedhjet që synon të bëjë BE-ja për t’u distancuar nga Kina është krijimi i të ashtuquajturit „Klub i vendeve me të njëjtin mendim„ që do të forconte zinxhirin e furnizimit të burimeve minerale. Ky klub nuk është asgjë e re, por është një shenjë e fortë politike që BE-ja dëshiron vende që do ta ndjekin me bindje dhe do ta furnizojnë me metale dhe në të njëjtën kohë do të udhëheqin të njëjtën politikë të jashtme si BE-ja ndaj vendeve që nuk janë në klub me mendje të njëjtë. E gjithë kjo do të realizohej me presione politike dhe ekonomike, siç ka qenë deri tani.

Sado premtues të tingëllojë plani për t’u distancuar nga Kina, problemet mund të gjenden dhe të parashikohen lehtësisht, të cilat tashmë janë të dukshme. Një nga problemet është sistemi i dobët i zhvilluar i riciklimit të metaleve që tashmë janë përdorur në produkte të caktuara.

Kjo nuk nënkupton riciklimin e metaleve të përdorura në prodhimin e telefonave apo kompjuterëve, por riciklimin e baterive të litiumit dhe pjesëve për panelet diellore. Edhe pse është lajmëruar gjerësisht ndërtimi i fabrikave për bateri litium (e para më e afërt duhet të jetë në qytetin Quprija, Serbi), nuk flitet mjaftueshëm për zhvillimin e sistemeve të riciklimit për bateritë e mëdha të litiumit, veçanërisht ato nga automjetet. Problemi tjetër i cili deri diku ka qenë prezent prej kohësh, është mirëmbajtja dhe mbrojtja e mjedisit nga mbetjet e minierave të braktisura dhe shndërrimi i tokës përreth atyre minierave në tokë disi të dobishme dhe të punueshme.

Strategji të tilla rrallë zbatohen edhe për minierat e bakrit, zinkut, plumbit, të cilat janë më të përhapurat në mbarë botën dhe i kemi edhe në rajonin tonë. Litiumi, si metali më i kërkuar për bateritë, nuk gjendet në një përqindje të lartë në xeherorët e tij, siç janë për shembull bakri apo zinku. Prandaj, vetë nxjerrja dhe përpunimi i tij kërkon teknologji më të shtrenjta dhe një sistem riciklimi më të shtrenjtë.

Problemi i tretë që është prezent dhe do të jetë edhe më i dukshëm është ndotja e mjedisit përreth minierave, përdorimi i fuqisë punëtore në vendet e treta (kryesisht Amerika e Jugut dhe Afrika), neglizhenca e mjedisit nga kompanitë minerare dhe mungesa e shkëmbimit të njohurive dhe teknologjive midis vendeve që kanë burime minerale dhe kompanive të huaja minerare. Rrallëherë ndonjë nga vendet e pasura interesohet fare për këtë problem, sepse për fat të keq ka qenë një praktikë prej shekujsh që të minohen burimet minerale, dhe të lihet popullsia në varfëri, pa menduar të investohet për të ardhmen e tyre.

Luftërat për burimet minerare vazhdojnë

Nëse në 70 vitet e fundit luftërat në botë janë bërë për naftë, lista e arsyeve të luftës do të plotësohet vetëm nga burimet minerale. Më parë, luftërat dhe pushtimet ishin kryesisht për arin, pastaj naftën, tani do të jenë për litium, tungsten, berilium. Veriu global do të punojë për dekarbonizimin dhe automjetet elektrike, ndërsa jugu global do të vdesë nga ndotja nga minierat që shfrytëzon veriu global.

Një nga shembujt më skandaloz të një kompanie minerare globale të regjistruar si një ndotës masiv në miniera, i shoqëruar nga kërcënime mjedisore për popullatat indigjene në të gjithë Amerikën e Jugut, Afrikën dhe Australinë, është kompania kanadeze Rio Tinto. Kjo kompani është në listën e lobistëve për miratimin e legjislacionit për burimet minerare kritike.

Ne do të jemi diku në mes, varësisht nëse litiumi dhe ndonjë metal tjetër i rrallë do të gjendet në territorin e Maqedonisë. Në Serbi, kompania kanadeze Rio Tinto nën tavolinë vazhdon të lokalizojë depozitat e litiumit dhe nuk ka ndërmend të zbatojë standardet e mbrojtjes së mjedisit dhe e gjithë kjo me miratimin e shtetit. Qeveria serbe, nën presionin e publikut dhe organizatave mjedisore, këtë vit vetëm në mënyrë deklarative u tërhoq nga projekti „Jadar„ së bashku me kompaninë kanadeze Rio Tinto për ndërtimin e një miniere litiumi në Serbinë perëndimore pranë lumit Jadar, por Rio Tinto vazhdoi të kryente kërkime në vende të tjera nëpër Serbi në kërkim të depozitave të litiumit.

Kurse Maqedonia do të zgjedhë të mbetet e varfër siç është deri tani ose të jetë edhe më e ndotur dhe më e varfër se kompanitë minerare që nxjerrin burime të rralla minerale. Ndoshta ndonjëherë nuk është mallkim, por bekim të mos kesh burime minerale për të mos qenë në interes të kompanive të mëdha dhe kështu të mos shpërdorohesh, thithesh, ndotesh dhe harrohesh.