Dameva të kthehet në krye të Këshillit Gjyqësor, vendosi Gjykata Administrative

Pas ankesës së ish-kryetares së Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva, vendimi i këshillit me të cilin ajo u shkarkua nga posti i kryetares është anuluar, konfirmoi Gjykata Administrative për Radion Evropa e Lirë.

Nga atje thonë se ankesa e Damevës për shkarkimin e saj më 26 prill është pranuar dhe tani Këshilli Gjyqësor do të duhet të veprojë sipas vendimit të Gjykatës Administrative.

“Padia e saj është pranuar dhe vendimi i kontestuar i Këshillit Gjyqësor është anuluar dhe në rivendim këshilli gjyqësor duhet të veprojë sipas udhëzimeve të dhëna nga Gjykata Administrative”, shtoi Gjykata Administrative.

Në pyetjen nëse kjo do të thotë se Dameva tani po kthehet në pozitën e kryetares së këshillit, pasi që vendimi me të cilin ajo u shkarkua është anuluar, nga Gjykata Administrative thonë se ky është një interpretim që nuk mund ta japin tani, megjithatë në raport me faktin se është marrë vendim për shkak se ajo është shkarkuar në mënyrë të paligjshme dhe kjo zgjidhje nuk ekziston tani, kjo mund të jetë një sekuencë logjike e ngjarjeve.

Dameva tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk e ka marrë zyrtarisht vendimin nga Gjykata, por thotë se nëse vendimi anulohet, do të thotë se ajo automatikisht kthehet në kryesi.

“Unë di nga çfarë shkruajnë mediat, pasi nuk kam marrë asgjë zyrtarisht, kjo do të thotë se nuk ekziston vendim për shkarkimin tim, që do të thotë se jam kryetare. Nëse ky është dispozitiv i vendimit, vendimi për shkarkim nuk ekziston më”, thotë Dameva.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Loga, përmes një deklarate ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Administrative, me të cilën anulohet vendimi për shkarkimin e Damevës nga posti i kryetarit të këshillit gjyqësor.

“Kjo vërteton të gjitha pretendimet e ministrit Lloga që ka pasur në periudhën e kaluar për punën dhe veprimet e Këshillit Gjyqësor, gjë që dëshmon se ky institucion ka nevojë për reforma”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Dameva u shkarkua më 26 prill me vetëm shtatë vota pro, pas çka Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri.

Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat e djeshme me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.