Këshilli Gjyqësor: Të gatshëm ta rikthejmë Damevën nëse urdhëron Gjykata, por ende s’kemi marrë vendim
Këshilli Gjyqësor është i gatshëm ta kthejë Vesna Damevën në postin e kryetares, nëse kështu thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Administrative. Nga aty theksojnë se ende nuk kanë marrë asgjë me shkrim, gjë që është konfirmuar nga vetë gjykata, raporton Skopje1. I njëjti vendim duhet të dërgohet gjatë javës së ardhshme për të gjitha palët në procedurë, transmeton Portalb.mk.
“Këshilli Gjyqësor ende nuk e ka marrë aktgjykimin. Pasi ta marrë do ta shqyrtojë dhe më pas do të vendoset në seancë. Varësisht se çfarë përmban, do të veprohet brenda afatit ligjor”, deklaruan nga Këshilli Gjyqësor.
Kundër vendimit të Gjykatës Administrative nuk ka të drejtë ankimimi. Duhet të zbatohet. “Skopje1” ka kontaktuar edhe Damevën, e cila ka treguar se do ta vazhdojë luftën e nisur dhe se aktgjykimi për të është drejtësi, jo triumf.
“Lufta kundër korrupsionit nga çdo vend dhe çdo pozicion mbetet. Unë nuk e ndal luftën kundër korrupsionit qoftë si anëtar apo si kryetare. Nuk po luftojmë për triumf, kjo do të thotë se drejtësia është vënë në vend”, tha Dameva për “Skopje1”.
Shkarkimi i Damevës ishte kontrovers. Kjo ngjalli zemërimin edhe të ndërkombëtarëve dhe ndaloi një projekt holandez përmes të cilit Këshilli Gjyqësor duhej të përparonte në punën e tij. E njëjta gjë u pasua me kërkesën për shpërbërje, diçka që nuk u realizua.
Dje në media u njoftua se Gjykata administrative ka anuluar vendimin e Këshillit Gjyqësor, pas ankesës së ish-kryetares së Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva me të cilin ajo u shkarkua nga posti i kryetares.
Nga atje thonë se ankesa e Damevës për shkarkimin e saj më 26 prill është pranuar dhe tani Këshilli Gjyqësor do të duhet të veprojë sipas vendimit të Gjykatës Administrative.
Dameva u shkarkua më 26 prill me vetëm shtatë vota pro, pas çka Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri.
Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.
Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat e djeshme me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.