Kërcënime dhe grushte, detaje nga incidenti në të cilin u arrestua një pjesëtar i sigurimit të Mickoskit

Pak pas mesnate, në bulevardin “Shën Klimenti i Ohrit” në qendër të Shkupit, ndërsa polici V. G. nga Shkupi së bashku me pesë policë të tjerë nga Njësia për tregti të paligjshme (NjTP) ishte në punë sipas planit për të kontrolluar një objekt hoteliere për të gjetur persona të përfshirë në drogë, V. G. fillimisht është sulmuar verbalisht nga Ivica B., punonjës i MPB-së në Departamentin për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të caktuara (DMPOC), e më pas edhe fizikisht, thonë të dhënat e para zyrtare të policisë, transmeton Portalb.mk.

Ivica B., polic dhe pjesëtar i sigurimit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mbrëmë ka tentuar të pengojë aksionin policor në një lokal të njohur të Shkupit, me çka është arrestuar.

“Pasi Ivica i tha fjalë kërcënuese V. G., e ka kapur për dore dhe së bashku me disa persona e kanë shtyrë jashtë objektit hotelerik, ku ndodheshin punonjësit e tjerë të policisë. Pavarësisht paralajmërimeve nga V. G. se po sulmojnë një zyrtar policor në detyrë, Ivica B. e ka goditur me grusht në pjesën e kokës. Ivica u arrestua. Për ngjarjen është njoftuar Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Penale dhe Standardeve Profesionale”, thuhet në njoftim.

Nga VMRO-DPMNE thonë se me sa dinë bëhet fjalë për gjaknxehtësi personale mes dy policëve. Partia opozitare njoftoi se Ivica B. do të largohet nga sigurimi i liderit Mickoski, ndërsa kërkuan që autoritetet të marrin të gjitha masat për ndriçimin e ngjarjes pa hezitim dhe ndëshkimin e çdo lloj dhune në përputhje me ligjin.

Zëvendësministri shtesë i Punëve të Brendshme Mitko Bojmacalijev, i cili është nga radhët e LSDM-së, i pari ka raportuar për ngjarjen mëngjesin e sotëm përmes rrjeteve sociale, duke vlerësuar se historia maqedonase nuk e kujton një rast të tillë të një ish zyrtari policor (komandant të njësisë ‘Tigër’) që të sulmojë dhe parandalojë një koleg në kryerjen e një veprimtarie zyrtare.

Dënim për incidentin erdhi nga ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë teknike, Pançe Toshkovski, i cili është kuadër i VMRO-DPMNE-së. Në një postim në Facebook, Toshkovski thotë se është njoftuar prokurori publik kompetent, udhëzimet e të cilit po ndiqen. Ai ka kërkuar nga shërbimet në MPB “të veprojnë në mënyrë sa më profesionale dhe në përputhje me procedurat standarde të funksionimit, për zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti”.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi zyrtarisht se ngjarja ka ndodhur mbrëmë vonë, në orën 00:40 të mëngjesit, në një objekt hoteliere në zonën e Komunës Qendër.

“Policët e Njësisë për tregti të paligjshme në SPB Shkup kanë privuar I.B. (43) nga Shkupi, polic i cili nuk ka qenë në detyrë, pasi ka sulmuar fizikisht një polic i cili po kryente veprime zyrtare. Personi është ndaluar në Stacion Policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të bëhet kallëzim përkatës”, thonë nga MPB.