Pendarovski në Konferencën e Sigurisë në Mynih: BE-ja në Ballkanin Perëndimor me vite nuk është “çështje dite”

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të Konferencës së 60-të të Sigurisë në Mynih, foli dje në panelin “Fokusi në Ballkan”, në të cilin morën pjesë presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe senatori amerikan Jane Shaheen, anëtar i Komisionit të Senatit për marrëdhënie ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

Në aktivitet u diskutua për perspektivat e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe mundësitë për zhbllokimin e procesit.

Presidenti Pendarovski theksoi rënien e interesimit për BE-në në rajon, duke treguar shembullin e Maqedonisë, se edhe pas kompromiseve të vështira, vendi nuk ka bërë përparim në integrimin e saj në BE, njoftoi Kabineti i Presidentit të Maqedonisë së Veriut.

Për ndryshimin e Kushtetutës, si pengesë për vazhdimin e mëtutjeshëm të integrimit të Maqedonisë së Veriut, presidenti Pendarovski tha se nuk do të jetë e mundur deri në mbajtjen e zgjedhjeve, sepse vendi tashmë është në të ashtuquajturën faza teknike me formimin e qeverisë kalimtare, detyra e vetme e së cilës është organizimi i zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike.

Pendarovski tha se Bashkimi Evropian vite më parë nuk ishte çështje dite në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bllokimi i rrugës drejt BE-së sjell polarizimin mes vetë qytetarëve të Maqedonisë në raport me BE-në, jo vetëm në bazë etnike.

Folësit në panel theksuan nevojën për të ofruar perspektivë të qartë evropiane për vendet kandidate për anëtarësim në BE, e cila do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe prosperitetin e përgjithshëm të rajonit, njoftoi kabineti i presidentit.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.