Shimpanzetë përdorin taktikën e terrenit të ngritur për të spiunuar grupet e tjera

Hulumtuesit kanë dokumentuar përdorimin taktik të terrenit të ngritur në situata lufte ndërsa vëzhgonin dy komunitete fqinje të shimpanzeve të egra perëndimore në Parkun Kombëtar Tai çdo ditë për tre vjet, shkruan euronews.green.

Dy grupet fqinje, shënjestra të këtij hulumtimi, ishin me madhësi pak a shumë të njëjta, midis 40 dhe 45 individë në grup, me rreth 5 deri në 6 meshkuj të rritur dhe 10 deri në 13 femra të rritura. Pjesa tjetër ishin adoleshentë, të mitur dhe foshnja.

“Shimpanzetë janë jashtëzakonisht territorialë. Ata kryejnë patrullime të rregullta kufitare, ku individët bredhin në periferi të territorit të tyre në një mënyrë shumë të koordinuar dhe kohezive” thotë biologia antropologjike Sylvain Lemoine.

“Ata përfshihen në takime ndër-grupore që janë të dhunshme, të rrezikshme dhe stresuese. Takimet ndër-grupore mund të jenë shkëmbime vokale nga distanca, kontakte vizuale ose kontakte fizike me zënka, kafshime dhe ndjekje. Vrasjet janë të zakonshme dhe viktimat mund të jenë nga të gjitha kategoritë e moshave” shtoi Lemoine.

Gjatë hulumtimit, një pjesë e grupit patrullues rregullisht është ngjitur në kodër, që i bëri konfuz hulumtuesit, sepse pamja nga aty nuk është e mirë.

“Majat e kodrave janë të mbuluara me bimësi dhe nuk ofrojnë pika të mira vëzhgimi” tha Lemoine.

Mirëpo, ata kuptuan se kodrat me bimësi ofrojnë kushte të përmirësuara akustike për të zbuluar kundërshtarët me anë të zërit.

Në majë të kodrave kufitare, shimpanzetë zakonisht nuk hanin, ose hanin gjëra që mund të përtypen pa bë zhurmë. Më shumë pushonin dhe dëgjonin.

Përfundimi se këtë e bënin për të spiunuar erdhi nga ajo që sipas vëzhgimeve, një grup shimpanzesh kishte më shumë gjasa të zbresë nga kodra në një territor të rrezikshëm në ato periudha kohore kur grupi armik ishte më larg.

Përputhje të tilla ndodhën afërsisht 40% të rasteve kur armiqtë ishin rreth 500 metra larg, 50% kur armiqtë ishin rreth një kilometër larg dhe 60% kur ishin rreth 3 kilometra larg.