Katër muaj Prokuroria nuk vepron për parkingun e uzurpuar mbrapa Poliklinikës Bit Pazar

Kanë kaluar katër muaj prej kur Policia ka dorëzuar padi penale kundër dy persona në lidhje me uzurpimin e pronës shtetërore dhe transformimin e të njëjtit në parking privat me pagesë, por Prokuroria ende nuk ka ndërmarrë masa konkrete. Parkingu ilegal vazhdon të funksionojë në kushte normale, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, shkruan Portalb.mk.

“Lënda është në fazë të procedurës parahetimore, në kuadër të së cilës po ndërmerren veprime të verifikimeve dhe sigurimit të provave”, kështu përgjigjen nga Prokuroria, katër muaj pasi që policia dorëzoi padi penale kundër dy personave për “uzurpim të patundshmërive” dhe “ndërtim pa leje”, pasi që personat në fjalë tokën shtetërore e kanë shndërruar në parking ilegal me pagesë dhe i detyrojnë qytetarët të paguajnë për të njëjtin.

Portalb.mk, pyeti sërish Ministrinë e Shëndetësisë nëse kanë vazhduar të alarmojnë për situatën në lidhje me uzurpimin e parkingut, megjithatë ata, sikur herën e kaluar na drejtojnë në institucione tjera.

“Nga Shtëpia e Shëndetit jemi informuar se ky institucion publik nuk i menaxhon parkingjet dhe ata nuk janë dhënë për shfrytëzim nga ana e tyre, ju lusim për më shumë informata drejtoheni në shërbimet e Komunës së Çairit dhe Qyteti i Shkupit”, theksojnë nga Ministria.

Portalb.mk, kërkoi qëndrim nga Qyteti i Shkupit në lidhje me masat të cilat i ka ndërmarrë për parkingun ilegal, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.

Nga ana tjetër, qëndrimin i Komunës së Çairit në vazhdimësi ka qenë i prerë se ata nuk janë kompetent për këtë tokë. Në intervistë për Portalb.mk, Visar Gani në qershor të vitit të kaluar e hodhi përgjegjësinë te menaxhmenti i Poliklinikës “Bit Pazar” dhe Qeveria.

“Të gjitha ato parcela që janë në oborrin e Poliklinikës janë në pronësi të Poliklinikës dhe ato gjenden në territorin e Çairit, por Poliklinika i ka në pronësi dhe Poliklinika nuk menaxhohet nga Komuna e Çairit, por nga pushteti qendror. Kjo është për ta hedhur fajin ose topin në një tjetër terren që nuk është korrektësi”, tha Ganiu në intervistën për Portalb.mk.

Ndërkaq, Qeveria, Poliklinika “Bit Pazar”, Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, por edhe një sërë institucionesh tjera, gishtin e drejtuan kah Komuna e Çairit.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kompetencat e saja në pjesën e tokës ndërtimore ua ka dorëzuar komunave në pajtueshmëri me procesin e decentralizimit dhe për ato arsye menaxhimi i tërësishëm me tokën është në kompetencë të komunave. Në rastin konkret, gjithashtu toka është dhënë në dispozicion të komunës dhe për ato arsye ju udhëzojmë që të drejtoheni te shërbimet inspektuese të komunës. Nëse keni indikacione për çfarëdolloj shfrytëzimi të paligjshëm të tokës shtetërore, ju udhëzojmë që të drejtoheni te Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, i cili në pajtueshmëri me kompetencat e tij,  është organ inspektues i shtetit në pjesën e tokës ndërtimore”, tha për Portalb.mkKire Kocev, zëdhënës i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Më 31 tetor të vitit të kaluar, Policia dorëzoi padi penale për dy persona për  “uzurpim të patundshmërive” dhe “ndërtim pa leje”.

Megjithatë, një ditë pas padive penale dhe kontrollit, Portalb.mk vizitoi vendin dhe konstatoi se uzurpuesit vazhdojnë të arkëtojnë para nga qytetarët dhe situata ishte sikur të mos kishte ndodhur asgjë, për çka dëshmon videoja e mëposhtme:

Me një sërë shkrimesh, kemi dëshmuar se toka ku mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” është shtetërore dhe e njëjta në mënyrë të paligjshme po shfrytëzohet si parking me pagesë. Nga ana tjetër, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra për përgjegjësinë se kush duhet të veprojë, megjithëse toka ndodhet në Komunën e Çairit dhe sipas decentralizimit, kompetenca i takon Komunës së Çairit.

Më 22 qershor, lënda u formua pasi që nga Prokuroria paralajmëruan se do të veprojnënëse institucionet tjera kompetente nuk veprojnë. Por, derisa Prokuroria pesë muaj ndodhet në fazën parahetimore dhe institucionet tjera nuk veprojnë, uzurpuesit e tokës, vazhdojnë veprimtarinë ilegale duke i detyruar qytetarët të paguajnë për parking në tokë, e cila është e shtetit.

Me një sërë shkrimesh, kemi dëshmuar se toka ku mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” është shtetërore dhe e njëjta në mënyrë të paligjshme po shfrytëzohet si parking me pagesë. Nga ana tjetër, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra për përgjegjësinë se kush duhet të veprojë, megjithëse toka ndodhet në Komunën e Çairit dhe sipas decentralizimit, kompetenca i takon Komunës së Çairit.