Lënda për parkingun e uzurpuar te Poliklinika “Bit Pazar” pesë muaj në fazë parahetimore, Prokuroria thotë se Inspektorati ka kryer kontroll

Pesë muaj pas hapjes së lëndës për hapësirën e uzurpuar mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”, e cila shfrytëzohet ilegalisht si parking me pagesë, lënda ndodhet ende në fazën parahetimore, ndërkaq uzurpatorët vazhdojnë të arkëtojnë para nga qytetarët në mënyrë të paligjshme, shkruan Portalb.mk.

Nga Prokuroria informojnë se në kuadër të procedurës parahetimore janë dhënë kërkesa për dorëzimin e të dhënave në Inspektoratin Shtetëror dhe institucione tjera. Ndërkaq, Inspektorati Shtetëror i Punës ka kryer mbikëqyrje inspektuese.

“Inspektorati Shtetëror i Punës ka kryer mbikëqyrje inspektuese në lokacionin, ndërkaq raportin për gjendjet e konstatuara e ka dorëzuar deri te Prokuroria. Ndaj një pjese të kërkesave të dorëzuara po veprohet”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria.

Megjithatë, për shkak se lënda është në procedurë parahetimore, Prokuroria nuk jep sqarime shtesë se çfarë ka konstatuar Inspektorati i Punës gjatë mbikëqyrjes inspektuese.

Duke u bazuara në po të njëjtën arsye, sqarime nuk japin as nga Inspektorati.

Me hulumtimin e Portalbit, por edhe një sërë shkrimesh tjera vijuese, kemi dëshmuar se toka ku mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” është shtetërore dhe e njëjta në mënyrë të paligjshme po shfrytëzohet si parking me pagesë. Nga ana tjetër, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra për përgjegjësinë se kush duhet të veprojë, megjithëse toka ndodhet në Komunën e Çairit dhe sipas decentralizimit, kompetenca i takon Komunës së Çairit.

Më 22 qershor, pas publikimit të hulumtimit të Portalbit në lidhje me uzurpimin e hapësirave shtetërore mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”, Lënda u formua pasi që nga Prokuroria paralajmëruan se do të veprojnënëse institucionet tjera kompetente nuk veprojnë. Por, derisa Prokuroria pesë muaj ndodhet në fazën parahetimore dhe institucionet tjera nuk veprojnë, uzurpuesit e tokës, vazhdojnë veprimtarinë ilegale duke i detyruar qytetarët të paguajnë për parking në tokë, e cila është e shtetit.

LEXO: Për të hyrë në garazhin e Poliklinikës Bit Pazar duhet “marrë leje” nga uzurpatorët, Ministria e Shëndetësisë “ngre supet”

Foto e vitit 2015-të nga "Google Street". Parkingu mbrapa Poliklinikës "Bit Pazar"
Foto e vitit 2015-të nga “Google Street”. Parkingu mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”

Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat

Pas një hulumtimi disa-javor, Portalb.mk publikoi se qytetarët detyrohen të paguajnë për parking, pavarësisht se parcelat janë në pronësi shtetërore dhe janë të uzurpuara. Paratë e qytetarëve shkojnë në mënyrë të paligjshme në xhepa të personave privat, në vend që të shkojnë në arkën e Spitalit, komunës apo të shtetit.

 intervistë për Portalb.mk, Visar Ganiu e hodhi përgjegjësinë te menaxhmenti i Poliklinikës “Bit Pazar” dhe Qeveria.

“Të gjitha ato parcela që janë në oborrin e Poliklinikës janë në pronësi të Poliklinikës dhe ato gjenden në territorin e Çairit, por Poliklinika i ka në pronësi dhe Poliklinika nuk menaxhohet nga Komuna e Çairit, por nga pushteti qendror. Kjo është për ta hedhur fajin ose topin në një tjetër terren që nuk është korrektësi”, tha Ganiu në intervistën për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Qeveria, Poliklinika “Bit Pazar”, Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, por edhe një sërë institucionesh tjera, gishtin e drejtojnë kah Komuna e Çairit.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kompetencat e saja në pjesën e tokës ndërtimore ua ka dorëzuar komunave në pajtueshmëri me procesin e decentralizimit dhe për ato arsye menaxhimi i tërësishëm me tokën është në kompetencë të komunave. Në rastin konkret, gjithashtu toka është dhënë në dispozicion të komunës dhe për ato arsye ju udhëzojmë që të drejtoheni te shërbimet inspektuese të komunës. Nëse keni indikacione për çfarëdolloj shfrytëzimi të paligjshëm të tokës shtetërore, ju udhëzojmë që të drejtoheni te Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, i cili në pajtueshmëri me kompetencat e tij,  është organ inspektues i shtetit në pjesën e tokës ndërtimore”, tha për Portalb.mkKire Kocev, zëdhënës i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Policia, për Portalb.mk konfirmuan se deri më tani askush nuk ka lajmëruar deri tek ata se dikush e ka uzurpuar këtë hapësirë.

Portalb.mk paraprakisht bisedoi me ekspertë të fushë në lidhje me kompetencat për të vepruar ndaj uzurpatorëve.

“Spitali menaxhon me hapësirën, gjegjësisht oborrin për shkak qasjes më të lehtë dhe ajo quhet shfrytëzim publik. Por, teknikisht, ajo pronë udhëhiqet në emër e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me atë pronë, në nivel të komunës – operon komuna dhe komuna ka të drejtë të hyjë. Por, edhe nëse është tokë e spitalit apo private, komuna patjetër që ka mundësi të hyjë me Inspektorat Ndërtimor dhe të konstatojë, dhe më pas të dorëzojë dhe të dorëzojë paraqitje për ndërtim pa leje, pavarësisht se është pronë private. Për atë janë Inspektoratet, jo për atë nëse ndonjë pronë është private ose jo – ata nuk e kontrollojnë vetëm pronën rreth komunës, përëkundrazi për të gjithë pronën në territor të komunës”, thonë ekspertët që i konsultoi Portalb.mk.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni: Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat