Parkingu i uzurpuar mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”, Prokuroria: Do të veprojmë nëse nuk veprojnë institucionet tjera kompetente

Prokuroria Themelore Publike thekson se i ndjek informatat në lidhje çështjen që e hapi Portalb.mk, për parkingun e uzurpuar mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” ku qytetarët detyrohen në mënyrë të paligjshme t’u paguajnë para për parking personave privat, edhe pse këto lokacione ndodhen në tokë shtetërore, shkruan Portalb.mk.

“Prokuroria Themelore Publike i ndjekë të gjitha informatat dhe do të veprojë nëse konstatohen elemente të veprës penale ose nëse nuk veprojnë institucionet tjera kompetente. Njëkohësisht, të gjitha institucionet, personat fizik ose juridik të cilat kanë informacione ose të dhëna të cilat referojnë në vepër penale në lokacionet në fjalë kanë për obligim që atë ta paraqesin në institucionet kompetente për veprim të mëtutjeshme”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria.

Njëkohësisht, redaksia e Portalbit ka dorëzuar në Prokurori edhe paraqitje zyrtare për rastin në fjalë, për çka organi i përndjekjes do ta shqyrtojë dhe më pas do të vendosë nëse hapë procedurë.

Në bisedë me ekspertë që e njohin çështjen, kompetenca për të vepruar është e drejtë e Komunës së Çairi, konkretisht Inspektoratit Ndërtimor.

“Spitali menaxhon me hapësirën, gjegjësisht oborrin për shkak qasjes më të lehtë dhe ajo quhet shfrytëzim publik. Por, teknikisht, ajo pronë udhëhiqet në emër e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me atë pronë, në nivel të komunës – operon komuna dhe komuna ka të drejtë të hyjë. Por, edhe nëse është tokë e spitalit apo private, komuna patjetër që ka mundësi të hyjë me Inspektorat Ndërtimor dhe të konstatojë, dhe më pas të dorëzojë dhe të dorëzojë paraqitje për ndërtim pa leje, pavarësisht se është pronë private. Për atë janë Inspektoratet, jo për atë nëse ndonjë pronë është private ose jo – ata nuk e kontrollojnë vetëm pronën rreth komunës, përëkundrazi për të gjithë pronën në territor të komunës”, thonë ekspertët që i konsultoi Portalb.mk.

Megjithatë, në intervistë për Portalb.mk, Visar Ganiu e hedh përgjegjësinë te menaxhmenti i Poliklinikës “Bit Pazar” dhe Qeveria.

Nga ana tjetër, Qeveria, Poliklinika “Bit Pazar”, Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, por edhe një sërë institucionesh tjera, gishtin e drejtojnë kah Komuna e Çairit.

“Të gjitha ato parcela që janë në oborrin e Poliklinikës janë në pronësi të Poliklinikës dhe ato gjenden në territorin e Çairit, por Poliklinika i ka në pronësi dhe Poliklinika nuk menaxhohet nga Komuna e Çairit, por nga pushteti qendror. Kjo është për ta hedhur fajin ose topin në një tjetër terren që nuk është korrektësi”, tha Ganiu në intervistën për Portalb.mk.

Pas një hulumtimi disa-javor, Portalb.mk publikoi se mbrapa objektit të Poliklinikës së Bit Pazarit, qytetarët detyrohen të paguajnë për parking, pavarësisht se parcelat janë në pronësi shtetërore dhe janë të uzurpuara. Paratë e qytetarëve shkojnë në mënyrë të paligjshme në xhepa të personave privat, në vend që të shkojnë në arkën e Spitalit, komunës apo të shtetit.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni: Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat