Uzurpuesit vazhdojnë t’i rrjepin qytetarë në parkingun ilegal mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar”, pavarësisht padive penale të Policisë

Pavarësisht se Ministria e Punëve të Brendshme dje dorëzoi padi penale për dy persona për “uzurpim të patundshmërive” dhe “ndërtim pa leje”, pasi që tokën shtetërore e kanë shndërruar në parking ilegal me pagesë, sot, uzurpuesit vazhdojnë të arkëtojnë para nga qytetarët dhe situata është sikur të mos kishte ndodhur asgjë, shkruan Portalb.mk.

Sipas video-incizimeve të sotme të Portalb.mk, mund të shihet se pavarësisht kontrollit të djeshëm nga zyrtarët e policisë dhe inspektorëve të Inspektoratit të Punës dhe Drejtorisë për të Ardhura Publike, hapësira shtetërore, vazhdon të jetë e uzurpuar.

Në kabinat e parkingut ilegal ndodhen uniformat e punëtorëve, ndërkaq afër rampave ndodhen personat të cilët, në mënyrë të paligjshme marrin para nga qytetarët të cilët i parkojnë veturat.

Policia, pas hulumtimit të Portalb.mk dje dorëzoi padi penale për dy persona.

“Në afërsi të Institucionit Publik Shëndetësor – Poliklinika Bit Pazar në Shkup, zyrtarët policorë të Njësisë për Krim Ekonomik dhe Kompjuterik të SPB Shkup në bashkëveprim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Drejtorinë e të Ardhura Publike, kanë kryer kontroll për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “uzurpim të patundshmërive” sipas nenit 225 dhe veprës penale “ndërtim pa leje” sipas nenit 244-a të Kodit Penal“, thanë dje nga Policia.

Ata shtojnë se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy persona, të cilët në mënyrë të paligjshme kanë marrë para për shërbime parkingu.

“Pas dokumentimit të rastit, do të vijojnë parashtresa përkatëse në Prokurorinë Themelore Publike Shkup”, shtojnë nga MPB.

Në kumtesën e Policisë nuk është saktësuar se në bazë të cilit paragraf do të ndiqen penalisht, pro megjithatë, të dyja nenet, gjegjësisht veprat ndëshkuese janë të dënueshme me para ose me burg.

Me një sërë shkrimesh, kemi dëshmuar se toka ku mbrapa Poliklinikës “Bit Pazar” është shtetërore dhe e njëjta në mënyrë të paligjshme po shfrytëzohet si parking me pagesë. Nga ana tjetër, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra për përgjegjësinë se kush duhet të veprojë, megjithëse toka ndodhet në Komunën e Çairit dhe sipas decentralizimit, kompetenca i takon Komunës së Çairit.

Më 22 qershor, lënda u formua pasi që nga Prokuroria paralajmëruan se do të veprojnënëse institucionet tjera kompetente nuk veprojnë. Por, derisa Prokuroria pesë muaj ndodhet në fazën parahetimore dhe institucionet tjera nuk veprojnë, uzurpuesit e tokës, vazhdojnë veprimtarinë ilegale duke i detyruar qytetarët të paguajnë për parking në tokë, e cila është e shtetit.

Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat

Pas një hulumtimi disa-javor, Portalb.mk publikoi se qytetarët detyrohen të paguajnë për parking, pavarësisht se parcelat janë në pronësi shtetërore dhe janë të uzurpuara. Paratë e qytetarëve shkojnë në mënyrë të paligjshme në xhepa të personave privat, në vend që të shkojnë në arkën e Spitalit, komunës apo të shtetit.

 intervistë për Portalb.mk, Visar Ganiu e hodhi përgjegjësinë te menaxhmenti i Poliklinikës “Bit Pazar” dhe Qeveria.

“Të gjitha ato parcela që janë në oborrin e Poliklinikës janë në pronësi të Poliklinikës dhe ato gjenden në territorin e Çairit, por Poliklinika i ka në pronësi dhe Poliklinika nuk menaxhohet nga Komuna e Çairit, por nga pushteti qendror. Kjo është për ta hedhur fajin ose topin në një tjetër terren që nuk është korrektësi”, tha Ganiu në intervistën për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Qeveria, Poliklinika “Bit Pazar”, Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, por edhe një sërë institucionesh tjera, gishtin e drejtojnë kah Komuna e Çairit.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kompetencat e saja në pjesën e tokës ndërtimore ua ka dorëzuar komunave në pajtueshmëri me procesin e decentralizimit dhe për ato arsye menaxhimi i tërësishëm me tokën është në kompetencë të komunave. Në rastin konkret, gjithashtu toka është dhënë në dispozicion të komunës dhe për ato arsye ju udhëzojmë që të drejtoheni te shërbimet inspektuese të komunës. Nëse keni indikacione për çfarëdolloj shfrytëzimi të paligjshëm të tokës shtetërore, ju udhëzojmë që të drejtoheni te Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, i cili në pajtueshmëri me kompetencat e tij,  është organ inspektues i shtetit në pjesën e tokës ndërtimore”, tha për Portalb.mkKire Kocev, zëdhënës i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Policia, për Portalb.mk konfirmuan se deri më tani askush nuk ka lajmëruar deri tek ata se dikush e ka uzurpuar këtë hapësirë.

Portalb.mk paraprakisht bisedoi me ekspertë të fushë në lidhje me kompetencat për të vepruar ndaj uzurpuesve.

“Spitali menaxhon me hapësirën, gjegjësisht oborrin për shkak qasjes më të lehtë dhe ajo quhet shfrytëzim publik. Por, teknikisht, ajo pronë udhëhiqet në emër e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me atë pronë, në nivel të komunës – operon komuna dhe komuna ka të drejtë të hyjë. Por, edhe nëse është tokë e spitalit apo private, komuna patjetër që ka mundësi të hyjë me Inspektorat Ndërtimor dhe të konstatojë, dhe më pas të dorëzojë dhe të dorëzojë paraqitje për ndërtim pa leje, pavarësisht se është pronë private. Për atë janë Inspektoratet, jo për atë nëse ndonjë pronë është private ose jo – ata nuk e kontrollojnë vetëm pronën rreth komunës, përëkundrazi për të gjithë pronën në territor të komunës”, thonë ekspertët që i konsultoi Portalb.mk.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni: Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat