Xhaferi për mosnjohjen e gjuhës shqipe nga bankat: Me ligj sanksionohet raporti i të gjithë institucioneve, përfshirë edhe ato private

Ka Ligj për përdorim të gjuhëve dhe me të sanksionohet raporti i të gjithë institucioneve, përfshirë edhe institucionet private. Kështu u përgjigj kryeministri teknik, Talat Xhaferi në pyetjen e Portalb.mk për koment në lidhje me bankat në vend që nuk i njohin dokumentet zyrtare në gjuhën shqipe, problem për të cilën edhe nisma Më Mirë për Tetovën kërkoi që kryeministri të reagojë. Ai shtoi se aspektin e institucioneve private duke qenë në parlament nuk e ka trajtuar si temë por se do ta shtjellojë për atë se çka sanksionon ligji përkatës, shkruan Portalb.mk.

Xhaferi tha dhe se kjo është pyetje që duhet t’i shtrohet Inspektoratit të Ligjit të Gjuhëve.

“Për faktin se atje parashihen dhe sanksionohet edhe ata që nuk e zbatojnë ligjin, çka tjetër të bëjë kryeministri ose Qeveria a ka institucion përkatës/përgjegjës për inspektimin e kryerjes së obligimeve që burojnë nga ligji përkatës. Në këtë moment nuk mund të them çka është kompetenca për të marrë unë si kryeministër ose Qeveria, kur Qeveria ka themeluar institucionin përkatës për të zbatuar ligjin. Janë sende për të cilat duhet t’i vëmë në rend secili të dijë punën e vet, përgjegjësinë e vet obligimin e vet dhe në favor të ligjit t’i kryejë obligimet që i ka”, tha Xhaferi.

Megjithatë edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve “shfajësohen” në këtë drejtim.

Nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve theksojnë se bankat private nuk e kanë detyrim ligjor përdorimin e gjuhës shqipe.

Bankat e nivelit të dytë janë me kapital privat dhe nuk kanë detyrim ligjor për ta përdorur gjuhën shqipe. Kaq mund të themi për pyetjen tuaj”, theksuan nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve.

Arsyetohen edhe nga Inspektorati i përdorimit të gjuhëve. Theksuan se në përputhje me neni 6 të Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, është kompetent dhe kryesisht kryen mbikëqyrje inspektuese mbi zbatimin e Amendamentit V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga të gjitha institucionet kompetente.

“Mbikëqyrja përfshin: Mbikëqyrje mbi zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në procedurat para institucioneve, mbikëqyrje mbi emërtimet dhe vulat e institucioneve, mbikëqyrje mbi emrat e objekteve infrastrukturore, mbikëqyrje mbi publikimin e ligjeve, të akteve nënligjore, vendimeve dhe shpalljeve në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe punë të tjera të përcaktuara me ligj, e të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, thanë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

Bankat injorojnë gjuhën shqipe

Bankat në Maqedoninë e Veriut nuk e njohin gjuhën shqipe, gjegjësisht nuk pranojnë dokument zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror në gjuhën shqipe. Madje, bankat pranojnë dokument në gjuhën angleze dhe jo në gjuhën shqipe e cila është gjuhë zyrtare e shtetit, kështu duke bërë diskriminim. Kështu reaguan nga nisma qytetare Më Mirë për Tetovën.

Nga kjo shoqatë kanë reaguar se pas regjistrimit në gjuhën shqipe si subjekt juridik, si Shoqata “Për Tetovën” janë drejtuar në shumë banka të vendit (Capital Bank, Halk Bank, Uni Bank, Komercijalna Banka, Stopanska Banka, Centralna Kooperativna Banka, NLB Tutunska, Silk Road Bank, TTK dhe Sparkasse Bank) për të hapur llogari bankare, ku për këtë kanë shfrytëzuar dokumentin zyrtar në gjuhën shqipe që e kanë pranuar nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë këtij procesi ne kemi hasur në praktika diskriminuese ndaj konsumatorëve që kanë të bëjnë me adoptimin e gjuhës shqipe. Në këtë rast, shqetësimi ynë është se, bankat në RMV nuk pranojnë dokumentin zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror i cili është në gjuhen shqipe. Nga ne është kërkuar që të aktvendimin ta përkthejmë në gjuhën maqedonase, ta notarizojmë dhe ta dorëzojmë në bankë për të vazhduar procesin e hapjes së llogarisë”, theksoi Elmedina Abdullahi.

Ata nënvizuan se bankat në Maqedoninë e Veriut i pranojnë dokumentet që janë gjuhën angleze, dhe se është e palogjikshme që bankat t’i pranojnë dokumentet në gjuhë ndërkombëtare ndërsa t’i refuzojnë ata në shqip, që është një gjuhë zyrtare e shtetit.

Për këtë problem, Portalb.mk ka kontaktuar edhe Komisionin Shtetëror për Parandalim dhe Mbrojtje nga DiskriminimiDrejtorinë për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Organizatën e Konsumatorëve të RMV-sëAsociacionin e Bankave të Maqedonisë dhe Qeverinë e RMV-së. Por, nga asnjë na këto institucione, nuk morëm përgjigje.