Kandidatët

Presidenti i shtetit në një demokraci parlamentare është menduar të jetë figurë reprezentative. Ka shtete me sistem presidencial ku shefi i shteti është figura qendrore e pushteti ekzekutiv. Në shtetet me sistem parlamentar, pushtetin ekzekutiv e udhëheq kryeministri ndërsa presidenti ka kryesisht rol përfaqësues. Demokracia parlamentare nënkupton që figurë qendrore e pushtetit është kuvendi i cili duhet të shërbejë si mekanizëm i kontrollit dhe balansit ndaj pushtetit ekzekutiv. Maqedonia e Veriut sipas sistemit politik rradhitet tek vendet e demokracisë parlamentare. Por sa në të vërtetë kuvendi ka shërbyer si mekanizëm kontrolli ndaj qeverisë është çështje për t’u diskutuar.

Në vendin tonë roli qendror i presidentit të shtetit është që të jetë një përfaqësues i denjtë i shtetit. Presidenti ka rol të rëndësishëm gjatë shpalljes së ligjeve pasi të njejtat votohen në kuvend, është kryekomandant i forcave të armatosura, e përcakton mandatarin e qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare dhe është institucioni kyç lidhur me dhënien e faljes presidenciale, një institut shumë i rëndësishëm i të drejtës penale dhe i të drejtës kushtetuese. Presidenti i shtetit duhet në çdo kohë të zbatojë kushtetutën dhe ligjet dhe të jetë shembull i qeverisjes së mirë dhe të ndërgjegjshme. Mbi të gjitha, presidenti i shtetit duhet të jetë figurë bashkuese, figurë që arrin ta bëjë balansimin e strukturave politike, e që arrin të ulë në të njejtën tavolinë edhe subjektet antagoniste në kohëra krizash politike. Pikërisht për këtë arsye Kushtetuta përcakton që funksioni i presidentit të shetit është inkompatibil me të qenit funksionar në një institucion tjetë ose funksionar në një parti politike. Fryma e kushtetutës përcakton që presidenti i shtetit të jetë subjekt suprapolitik dhe unifikues për qytetarët.

Funksioni i presidentit të shtetit është funksion i lartë shtetëror dhe kërkon njerëz kompetetnë që me përgjegjësi do ta ushtrojnë detyrën. Presidenti apo presidentja e shtetit duhet të jetë njeri me kredibilitet të lartë që me dinjitet do ta ushtrojë këtë funksion, njeri që do të na përfaqësojë të gjithë ne si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Dikush mund të thotë që presidenti i shtetit është figurë përfqësuese pa shumë kompetenca ekzekutive në një vend ku qeveria e ka fjalën kryesore. Por nuk është pikërisht ashtu. Në të kaluarën kemi parë se çfarë ndodh kur në krye të detyrës presidenciale gjendet dikush që nuk e ka ndërgjegjen e duhur dhe kredibilitetin për kryerjen e kësaj detyre zyrtare. Në kohën kur president ishte Gjorgji Ivanov, vendi me fajin e tij u soll në prag të luftës civile, edhe atë dy herë: me faljet presidenciale të 12 prillit 2016 që rezultoi me fillimin e Revolucionit Laraman, dhe me refuzimin e dhënies së mandatit për krijimin e qeverisë në vitin 2017 që rezultoi me ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit 2017. Pasojat e faljeve të paligjshme që Ivanov i dha në 2016 janë të dukshme edhe sot, kur përfundimi i lëndëve të caktuara penale për keqpërdorime të mëdha është ende i pasigurtë pikërisht për shkak të dilemave lidhur me vlefshmërinë e atyre faljeve.

Në këto zgjedhje presidenciale ka një laramani të madhe të kandidatëve dhe qytetarët kanë zgjedhje të gjerë. Mes kandidatëve ka nga ata që janë unifikues, ka dhe të tillë që promovojnë ndasi dhe supremacion të njërit etnitet ndaj tjetrit. Është mirë kur ka zgjedhje të gjerë për qytetarët sepse atëherë ata mund të vendosin për ta zgjedhur atë që do t’i përfaqësojë më denjësisht, atë që nuk do ta keqpërdorë detyrën e vetë zyrtare dhe nuk do ta përmbysë sistemin kushtetues-ligjor të vendit, atë që do t’i bashkjojë të gjithë e nuk do të përhapë ndasi, urrejtje e mosdurim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.