Kandidatët e Lëvizjes “ZNAM”, në Kumanovë dhe Qendër, do mbështeten nga VMRO-DPMNE

Lëvizja “ZNAM – Për Maqedoninë Tonë” do të ketë dy kandidatë për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale, në Komunën e Kumanovës do kandidojnë me kryetarin aktual dhe udhëheqësin e ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, dhe në Komunën e Qendrës me zëvendësministrin aktual të Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Mirosllav Labudoviq, transmeton Portalb.mk.  

Mbrëmë, në një seancë të Bordit Ekzekutiv dhe Qendror të ZNAM-it, u miratua vendimi për bashkëpunim të ndërsjellë me partnerin e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE në fushën e kandidatëve për kryetar komune, si dhe për listat e këshilltarëve të pavarur në më shumë se 50 komuna në vend, njoftoi zëdhënësi i partisë ZNAM, Nikola Memov. 

Memov tha se një vendim i tillë do të thotë që VMRO-DPMNE do të mbështesë kandidatët e tyre dhe se në ato komuna nuk do të dalin me kandidatin e tyre dhe ZNAM do të mbështesë kandidatët për kryetar komune të VMRO-DPMNE-së në të gjitha komunat, përfshirë Qytetin e Shkupit. 

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë më 2 nëntor.