Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur padi ndaj ish-kryetarit nën dyshimet se ka keqpërdorur lejet e ndërtimit
Nën dyshimet se ka kryer veprën penale “punë e pandërgjegjshme në detyrë”, Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur padinë e radhës ndaj ish-kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, transmeton Portalb.mk.
“I kallëzuari R.M., ish-kryetar i Komunës së Strugës, gjatë mandatit të tij ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimin e tij zyrtar, në mënyrën që, duke mos ushtruar mbikëqyrjen e duhur, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe në mënyrë të kundërligjshme ka nënshkruar leje ndërtimi për një parcelë kadastrale në fshatin Misleshevë të Strugës”, raportoi Policia.
Në akuzë janë përfshirë edhe dy këshilltarët e Sektorit të Urbanizmit, 40 vjeçari A.B. dhe 57 vjeçari N.R. për “punë të pandërgjegjshme në detyrë”.
Kujtojmë se në qershor 2025, Gjykata Themelore e Strugës i vendosi gjobë prej 10,000 eurosh Merkos, me akuzën për kryerje të pakujdesshme në shërbim, konkretisht, për parregullsi të kryera në emërimin e drejtorëve në detyrë të shkollave fillore në fshatrat Labunishtë, Ladorishtë dhe Podgorcë. Ndërkohë Prokuroria Publike tashmë ka ankimuar vendimet e mëparshme të gjyqtarit Jordan Jovanov.
Merko mori lirim nga akuzat në fillim të qershorit 2025, në rastin që po zhvillohej kundër tij për shpërdorim të detyrës zyrtare në blerjen e një makine Audi me vlerë 67,000 euro.
Ndryshe, Merko, në muajin shtator 2024 është përfshirë edhe një rast tjetër gjyqësor, ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit rreth ndriçimit të shtratit të lumit Drin.
- LEXO: Gjykata i shqiptoi Merkos gjobë prej 10 mijë eurosh për emërimin e paligjshëm të drejtorëve të shkollave në rajonin e Strugës
- LEXO: Merko u lirua nga aktakuza, Gjykata vlerësoi se Audiu luksoz nuk ishte provë e mjaftueshme për vepër penale
- LEXO: Merko dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit rreth ndriçimit të shtratit të lumit Drin