Kacarska konsideron se si qeveria ashtu edhe opozita janë përgjegjëse për ndryshimet e shpejta në Kodin Penal

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska është e befasuar nga shpejtësia me të cilën janë bërë ndryshimet në Kodin Penal, transmeton Portalb.mk.

“Nga këndvështrimi se si u miratuan ndryshimet e Kodit penal, u befasova vërtet. Brenda një dite u mbajt seanca e Komisionit dhe befas u hodh në votim dhe më habiti që opozita nuk e bllokoi Ligjin. Aty ku politikanët janë dakord ose u shkon përshtat, nuk ka bllokadë, por ku duan të bllokojnë, mund të bllokojnë të gjithë vendin”, tha Kacarska në daljen e mbrëmshme në emisionin “Click Plus” në Tv 21.

E pyetur nëse Gjykata Kushtetuese, me iniciativë të saj, duhet të tregojë proaktivitet dhe të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve në Kodin Penal, gjegjësisht nëse gjykata po e shqyrton këtë mundësi, Kacarska tha se Gjykata Kushtetuese, për të ngritur një rast për me iniciativën e vet, duhet të ketë dyshime për kushtetutshmërinë e një ligji apo akti tjetër.

“Publiku duhet të vlerësojë se ne kemi kompetencë të kufizuar dhe dihet se është e vendosur në nenin 110, paragrafi 3 i Kushtetutës. Nuk do të mund të komentoja paraprakisht për Kodin Penal nëse ai është kushtetues apo ka diçka që është kundër Kushtetutës. Tashmë kemi marrë dy iniciativa për këtë ligj. Do të ishte e pavlerë nga ana ime nëse paraprakisht do të thoja qëndrimin tim ose të mendoja për këtë ligj nga këndvështrimi i kompetencës së Gjykatës Kushtetuese”, tha Kacarska.

Lidhur me informacionet në opinion se ish-kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, tani i arratisur në Hungari, Nikolla Gruevski, me ndryshimet në Kodin Penal do të ketë mundësi të kthehet si qytetar i lirë, Kacarska tha se një pyetjeje të tillë nuk mund t’i japë përgjigje precize, të qartë, të saktë.

“Duhet t’i kem para vetes të gjitha rastet kundër Nikolla Gruevskit. Nuk e di se sa çështje janë në gjykatë ndaj tij, për cilat krime, cili është dënimi dhe sipas ndryshimeve të reja në Kodin Penal, a ka vjetërim për disa apo jo. Do të ishte joserioze t’i përgjigjem një pyetjeje të tillë sepse nuk kam asnjë fakt për të. Kam pasur tre lëndë nga PSP, përkatësisht ‘Tank’, ‘Treqind’ dhe ‘Transporter’. Të gjitha këto kanë përfunduar, janë të formës së prerë dhe kanë kaluar në Gjykatën e Lartë. Për ato raste kur ka përfunduar procedura nuk mund të vlejnë këto ndryshime të ligjit”, shtoi Kacarska.

Sipas saj, me ndryshimet në Kodin Penal, shumë çështje do të vjetërohen dhe kjo do të sjellë një kosto të madhe në buxhetin e shtetit.

“Ekzistojnë procedura që kanë vite e vite dhe kur ka vjetërim shkon në kurriz të buxhetit, prandaj e komentoj shpesh të njëjtën gjë, ndërsa edhe në deklaratën fillestare që e dhash, thash se nëse do të kishim aktgjykime për disa raste, pyesja vërtet a do të kishte ndryshime të tilla në Kodin Penal? Nuk e di për sa te akuzuar bëhet fjalë dhe sa raste janë, sepse unë i di vetëm lëndët e mija, por nëse është e vertete ajo që thonë mediat se do te lirohen 80 persona, gjegjësisht do te ketë konstatim për vjetërim, këto janë shuma të mëdha parash. Këto janë raste të vështira, janë një numër i madh i të pandehurve, 70-80, në ato raste janë përfshirë disa vepra penale, dhe të pandehurit kanë pasur dy apo edhe më shumë avokatë, e këto besoni se janë harxhime të mëdha, prandaj edhe gjyqtarët janë të detyruar të punojnë profesionalisht me ndershmëri dhe duhet të jenë të ekspeditiv”, tha Kacarska.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, për  të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE.

Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshijnë ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.