Eco Guerilla përkrah protestat e banorëve të fshatit Konjare për ndërprerjen e gërmimeve për rënë dhe zhavorr

Eco Guerilla përkrah fuqishëm protestat e banorëve të fshatit Konjare për ndërprerjen e menjëhershme të gërmimeve për rënë dhe zhavorr me çka shkatërrohen pasuritë natyrore dhe bëhet vepër penale – krim ekologjik. Edhe pse kontrata e koncesionerit me vendim të Qeverisë në vitin 2021 u ndërpre, çuditërisht në muajt e fundit shohim se si prap në mënyrë ilegale pa vendim qeveritar punimet kanë rifilluar intenzivisht, thonë nga Eco Guerilla, transmeton Portalb.mk.

“Sipas elaboratit gjeodetik të Inspektoratit shtetëror për ambient jetësor në vitin 2021 koncesioneri ka bërë shkelje të rënda të kontratës me çka seriozisht ka dëmtuar kuotën për ujrat nëntokësore, për çka edhe ankohen banorët e zonës. Duam ta rikujtojmë edhe Ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i cili publikisht më 19 prill 2021 në Tv21 pat deklaruar se koncesioneri do ti përmbysh detyrimet që janë pjesë e kontratës. Për fat të keq asgjë nuk është përmbushur nga detyrimet deri më sot. E pyesim Ministrin Bekteshi dhe Sreten Stojkovski Drejtorin e Inspektoratit shtetëror për ambient jetësor se si mundet të rifillojnë punimet pas gjithe këtyre shkeljeve të rënda ligjore. Pyesim se kush qëndron pas biznis-intereseve të këtij koncesioni?”, thonë nga Eco Guerilla.

Nga kjo Lëvizje shtojnë se qytetarët kanë dyshime serioze për aferë korrputive nga struktura qeveritare.

“Në fshatin Konjare po bëhet ekocid natyror me çka vehet në pikëpyetje egzistenca jetësore për ujë. Sipas ligjit për vepra penale si kjo Paragrafi 1 i nenit 218 të Kodit Penal parashikon dënim me burgim nga katër deri në dhjetë vjet. Kërkojmë prokuroria të ngrejë padi penale te të gjitha palët e përfshira”, theksojnë nga Eco Guerilla.

Ata kërkojnë urgjentisht nga Inspektorati shtetëror për ambient jetësor bashkë me banorët e zonës (sipas Konventës së Arhusit)  të dalin në terren për të parë gjendjen dhe te ndërpresin urgjentisht punimet.

Banorët e fshatit Konjare të Komunës së Petrovecit të Shkupit, me 1 shtator, para Kuvendit të RMV-së kërkuan ndalimin e koncesionit të gërmimeve të rërës, sepse sipas tyre, dëmton mjedisin jetësor dhe cilësinë e jetës në rajon.

Banorët e fshatit të Konjares për mediat thanë se ky problem është i njohur për të gjithë që nga viti 2008-2009 kur u miratua koncesioni për gërmime në këtë rajon dhe që atëherë kanë reaguar për këtë, mirëpo, nuk kanë pasur përgjigje deri në vitin 2016. Edhe pasi është konstatuar nga inspektorati se ka pasur shkelje të rregullores së punës dhe pas ndërprerjes së gërmimeve për një periudhë, gjykata sërish e ka rikthyer koncesionin e gërmimeve me po të njëjtën kompani.