Me ndryshimet në Kodin Penal, Gruevski nuk kthehet në Maqedoni, pretendon Pendarovski

 Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për “Zërin e Amerikës“, i pyetur për ndryshimet në Kodin Penal me të cilat zvogëlohen dënimet për veprën keqpërdorim i detyrës zyrtare, tha se “me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, Nikolla Gruevski, nuk do të kthehen në Maqedoni”, raporton MIA.

“Unë pretendoj, deri më tani nuk është kthyer, për shkak të këtyre ndryshimeve nuk do të kthehet, kjo është e sigurt”, tha Pendarovski.

Megjithatë, Pendarovski nuk mund të garantojë një skenar se Gruevski do të sillet para drejtësisë në rast se ai kthehet në vend.

I pyetur se çfarë mesazhi pret nga pala amerikane pas qëndrimit të Departamentit të Shtetit për ndryshimet në Kodin Penal se korrupsioni mund të dëmtojë aspiratat e Maqedonisë së Veriut, Pendarovski thotë se ky qëndrim i qeverisë amerikane nuk vjen direkt pas ndryshimeve në Kodit Penal, por që këto tashmë ishin qëndrime të njohura edhe nga përfaqësuesit evropianë. Ai pajtohet se shteti nuk bën përpjekje të mjaftueshme për të ulur korrupsionin.

I pyetur se pse i lejoi ndryshimet në Kodin Penal, Pendarovski tha se “sepse vetë përmbajtja e ndryshimeve nuk e provokon korrupsionin”.

“Teksti i ligjit thotë se dënimet për vuajtjen e burgut janë zvogëluar minimalisht, domethënë nuk hiqen dhe nuk ka amnisti, dhe së dyti zgjerohen bazat dhe lehtësohet procedura për konfiskimin e pasurisë”, thotë Pendarovski në intervistën.

Ai mendon se problemi kryesor qëndron në moszbatimin e ligjeve, aplikimin selektiv të tyre apo “përpjekjet për të gjetur ‘vrima’ në ligjet”.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.