Ka nisur hetim për aksidentin e rëndë në Shkup ku mbeti i vdekur një 25 vjeçar, Prokuroria propozoi masa sigurie për dy shoferët e dyshuar

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhëresë për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale – Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikaciondhe për të ka paraqitur edhe propozim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak. Në lidhje me të njëjtën ngjarje, një person tjetër është ndjekur penalisht për veprën penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion, i cili po ndiqet sipas procedurës së shkurtuar dhe ndaj tij janë propozuar masa sigurie, transmeton Portalb.mk.

Më 31 korrik, i dyshuari i parë, shtetasi nga Maqedonia 41-vjeçar me banim në Itali, si pjesëmarrës në komunikacion në rrugë publike, nuk i ka respektuar rregullat dhe me këtë ka rrezikuar komunikacionin publik, duke rrezikuar jetën e njerëzve.

Ai ka qenë duke vozitur veturën “Mercedes” me targa italiane përgjatë korsisë së majtë të komunikacionit nga bulevardi “Sllovenia” në Shkup, në drejtim nga perëndimi në lindje, kështu që kur ka arritur para udhëkryqit me bulevardet “Brigada Maqedonase-Kosovare“ dhe “Bosnja e Hercegovina”, komunikacioni i të cilëve ishte i rregulluar me semafor, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor.

“Njëkohësisht nuk ka munguar automjeti “Mercedes” me targa të Shkupit, i cili lëvizte nga ana e kundërt përgjatë bulevardit “Bosna e Hercegovina”, i drejtuar nga i dyshuari tjetër, shtetasi maqedonas 39-vjeçar dhe në kryqëzimin me dritën jeshile ka ruajtur drejtimin e lëvizjes, por pa e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me vetitë dhe kushtet e rrugës, dukshmërinë, pamjen e përgjithshme, kushtet atmosferike, gjendjen e mjetit dhe ngarkesën, dendësinë e trafikut e të tjera. Si pasojë, dy automjetet janë përplasur dhe vetura e drejtuar nga i dyshuari i dytë ka dalë nga rruga në ishullin e ndarë për këmbësorë në anën veriperëndimore të kryqëzimit dhe ka goditur me anën e djathtë trupin e një këmbësori. Menjëherë pas kësaj vetura e drejtuar nga i dyshuari i dytë ka vazhduar të ecë përpara dhe djathtas dhe ka goditur me pjesën e përparme një shtyllë metalike semafori, ka vazhduar të lëvizë në të djathtë dhe sërish ka goditur një shtyllë betoni, një mur betoni dhe një rrethojë betoni nga oborri i një restoranti. Si pasojë e goditjes, këmbësori i lënduar ka pësuar lëndime të rënda dhe është transportuar në Qendrën Emergjente në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, ku ka ndërruar jetë. E lënduar rëndë ka mbetur edhe pasagjerja femër në veturën e të dyshuarit të dytë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori publik kompetent, përveç masës arrest shtëpiak, të dyshuarit të parë i propozoi konfiskimin e përkohshëm të dokumentit të udhëtimit dhe patentë shoferit. Ndaj të dyshuarit të dytë janë propozuar masa përkujdesjeje – obligim që herë pas here të paraqitet te zyrtari i caktuar apo organi kompetent shtetëror, t’i konfiskohet përkohësisht dokumenti i udhëtimit dhe t’i caktohet ndalimi për dhënien e tij dhe heqja e përkohshme e patentë shoferit, gjegjësisht ndalesë për lëshimin e tij.

Mbrëmjet e 31 korrikut, një i ri 25 vjeç nga Shkupi ndërroi jetë nga aksidenti te udhëkryqi mes Butelit dhe Shuto Orizarës, respektivisht në bulevardin “Sllovenasja”.

“Më datë 31.07.2023 në ora 23:25 është raportuar se në Shkup në rrugën “Sllovenasja” ka ndodhur një aksident trafiku në mes të automjetit të pasagjerëve “Mercedes” me targa të Shkupit, i drejtuar nga S.O.(39) nga Shkupi dhe një veture “Mercedes” me targa italiane, i drejtuar nga A.S.(41) nga Shkupi, pas çka vetura Mercedes ka goditur këmbësorin M.V. (25) nga Shkupi. Pas aksidentit, këmbësori është transportuar në Kompleksin e Klinikës “Nënë Tereza”, ku ka ndërruar jetë pas plagëve të marra. Nga ana e mjekut është konstatuar vdekja. Shoferi S.O. dhe pasagjerja e tij M.O.(28) nga Shkupi kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa shoferi A.S. ka marrë lëndime fizike, të konstatuara në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori””, thanë nga MPB.