Më të rrezikshëm janë kontrabandistët e emigrantëve që nuk ndalojnë në shenjën Stop, thonë patrullat e Frontex-it në kufirin grek

Deri në fund të vitit, rreth 110 policë nga vendet anëtare të BE-së do të ndihmojnë policët vendas në sigurimin e kufirit me Greqinë, të cilët janë gjithashtu përgjegjës për parandalimin e kalimeve të paligjshme dhe kontrabandës së emigrantëve përmes të ashtuquajturës “Rruga e Ballkanit Perëndimor”, raporton SDK, transmeton Portalb.mk.

Përveç kufirit jugor, ata janë të vendosur edhe në rrugët në rajonet ndërkufitare, ku kontrollojnë të gjitha mjetet që dinë se janë pjesë e krimit të organizuar të kontrabandës së emigrantëve.

Të gjithë veprojnë sipas planit të përgatitur të punës dhe koordinohen nga shtabi komandues në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare JugKavadar në kuadër të MPB-së, ku ndodhet edhe shtabi operativ i Frontex-it.

“Angazhimi bëhet në bazë të një plani të përgatitur paraprakisht, në të cilin renditen prioritetet në bazë ditore dhe javore. Patrullat në varësi të nevojës, janë të përbërë nga tre deri në pesë policë dhe ne i përcaktojmë vendndodhjet në bazë të analizës së rrezikut. Patrullat janë në vende ku dyshojmë se do të ketë kalime të paligjshme dhe krime ndërkufitare. Këto patrulla të përziera të policëve maqedonas dhe evropianë kanë për detyrë sigurimin e kufirit shtetëror, zbulimin dhe parandalimin e migrimit ilegal dhe kontrabandat të emigrantëve, si dhe kontrollin e automjeteve dhe personave”, tha Slavço Bogev, kreu i Jugut.

Bogev thotë se në tre muajt e fundit bashkëpunimi me anëtarët e Frontex-it ka qenë i shkëlqyer. Në çdo patrullë që është në terren ka një deri në dy policë nga BE-ja. E gjithë kjo, thotë ai, kontribuon në rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave. Në të njëjtën kohë, kapacitetet vendore janë duke u forcuar për trajtimin më efikas të sfidave në terren.

“Sfida më e shpeshtë është zbulimi i kontrabandistëve të emigrantëve të cilët nuk ndalen në shenjën Stop, duke rrezikuar kështu sigurinë e patrullës së policisë dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik. Sfidë është edhe zbulimi i grupeve më të mëdha të emigrantëve që janë agresivë, të cilët në periudhën e fundit janë kryesisht marokenë. Ne gjejmë gjithashtu gra shtatzëna dhe të moshuar dhe të dobët që kalojnë kufirin shtetëror ose kalojnë ilegalisht në territorin maqedonas”, thotë Bogev.

Patrullat udhëhiqen nga policë maqedonas. Sipas urdhrave të lëshuar, ata janë stacionuar në lokacione të caktuara dhe kryejnë kontrolle. Kështu ndodhi edhe në autostradën “Prijatellstvo” në afërsi të pikë pagesës në Demir Kapi, ku kishte një patrullë pesë anëtarësh. Janë kontrolluar automjetet e pasagjerëve dhe janë identifikuar personat. Kontrolle janë bërë edhe në furgona, autobusë dhe mjete të rënda me rimorkio, kur janë përdorur edhe qentë e policisë për të zbuluar nëse ka ndonjë gjë të dyshimtë në trajler.

“Kontrollet zgjasin zakonisht rreth 10 minuta, nëse nuk konstatojmë diçka të dyshimtë. Atëherë zgjasin pak më shumë, gjatë së cilit njoftohet shtabi komandues dhe ne veprojmë sipas rregullave për punë në raste të tilla”, thotë një punonjës policie nga patrulla e përzier.

U nisëm edhe për në kufirin maqedono-grek, në Kamen 59, lokacion më i shfrytëzuar gjatë krizës së emigrantëve. Dhe aty gjetëm një ekip të përzier policie që patrullonte përgjatë kufirit. Ekipi përfshinte tre maqedonas dhe dy policë nga Frontex, një nga Portugalia dhe një nga Bullgaria. Ata nuk kishin vënë re asgjë të dyshimtë në 24 orët e fundit.

“Autoritetet maqedonase janë ato kryesore që vendosin se si t’i trajtojmë detyrat, ku do të punojmë dhe si do t’i organizojmë aktivitetet e përditshme. Ne si punonjës policie punojmë me ta, i ndjekim, ata udhëheqin patrullat. Synimi ynë është reduktimi i migracionit sepse vitin e kaluar gjysma e hyrjeve të paligjshme në vendet e BE-së ka qenë pikërisht përmes Ballkanit Perëndimor. Ne jemi këtu për të mbështetur policinë maqedonase në përpjekjet e saj për t’u marrë me krimin ndërkufitar dhe kalimin e kufirit”, thotë Vincenzo Pepe, një oficer i Frontex në vend.

Statistikat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit janë regjistruar 5018 tentativa për të kaluar ilegalisht kufijtë shtetërorë, nga të cilat 4430 nga Greqia. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është një rënie prej 44 përqind.

Ministria e Punëve të Brendshme në gjashtëmujorin e parë ka regjistruar 36 raste të kontrabandës me emigrantë, që është 16,3 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga janari deri në korrik, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale për 28 persona për kontrabandë, por edhe për ndihmë në këtë krim. Mes tyre janë katër shtetas serbë, turq dhe afganë. Të gjithë janë kapur në rrugët e Maqedonisë, ku tentuan të transportonin 286 emigrantë.

Aksioni i përbashkët i policëve maqedonas dhe evropianë duhet të zgjasë deri më 24 janar 2024, me mundësi vazhdimi. Marrëveshja për Frontex u nënshkrua në tetorin e kaluar gjatë vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, dhe ishte marrëveshja e parë ndërmjet KE-së dhe Maqedonisë e nënshkruar në gjuhën maqedonase.