Jo vetëm hipotezë, Barcelona rrezikon të përjashtohet nga Champions League

Të premten në mbrëmje, gazeta gjermane “Welt am Sonntag” lëshoi lajmin e bujshëm se UEFA rrezikon të përjashtojë Barcelonën nga Champions League, raporton ABC. Sipas gazetës në fjalë, ndëshkimi i mundshëm ndaj Barcelonës nga UEFA lidhet me mosrespektimin e fair play financiar nga katalanasit.

Informacioni i publikuar nga kjo gazetë fliste për disa llogari të dyshimta në lidhje me rritjen e të ardhurave që ka pasur klubi spanjoll, përveç lëvizjeve të zakonshme.

Nga ana tjetër, siç raportohet nga “Marca”, Barcelona së bashku me nëntë klube të tjera evropiane të nivelit të lartë, përfshirë PSG, Manchester City dhe Milan, janë duke u hetuar për mospërputhje me rregulloret financiare të vendosura nga UEFA për të qenë në gjendje të marrin pjesë në garat e organizuara prej saj.

Barcelona ka komunikuar se nuk është në dijeni për këtë situatë, por gazeta spanjolle ka mundur të sigurojë që zgjidhja e çështjes, ajo e blaugranave dhe pjesës tjetër të ekipeve nën hetim, të arrijë në shkurt të vitit 2024.

Ajo që po ndodh tani, mund të jetë një thashetheme ose ndonjë rrjedhje informacioni dhe çuditërisht po shfaqen fill pas vendimit të Gjykatës Evropiane për Superligën.