Itali, zjarrfikësit po luftojnë me zjarret në ishullin e Sardenjës

Ekipet italiane të zjarrfikësve u angazhuan herët të hënën duke luftuar me zjarret që kanë shkatërruar ishullin e Sardenjës, pasi më shumë se 40 zjarre shpërthyen në rajon mes motit të nxehtë, të thatë dhe me erë, sipas autoriteteve, raporton Anadolu.

Pjesa më e goditur e ishullit, e dyta për nga madhësia në Mesdhe, është Sardenja lindore, ku zjarri më i madh vërehet në Posada, në provincën Nuoro, ku autoritetet lokale urdhëruan evakuimin e rreth 600 njerëzve, ndërsa gjithashtu u mbyllën rrugët përreth midis qyteteve Siniscola dhe Olbia.

Administratorët lokalë paralajmëruan se zjarret, të cilat shpërthyen ditët e fundit për shkak të erërave veçanërisht të forta, mund të shkaktojnë ndërprerje shtesë të transportit në zonat e prekura. Dukshmëria e ulët nga tymi dhe hiri mund të përkeqësojnë vonesat e trafikut dhe bllokimet në rajon, shtuan ata.

Christian Solinas, presidenti i rajonit të Sardenjës, tha se u ka kërkuar shërbimeve të mbrojtjes civile të forcojnë flotën ajrore kundër zjarreve dhe të dërgojnë një paralajmërim të hershëm për aktivizimin e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile. Shtatë avionë u angazhuan në luftimin e flakëve, duke hedhur ujë deti mbi flakët.

Autoritetet nuk përjashtuan mundësinë që disa nga zjarret të jenë shkaktuar me qëllim.

Rajonet jugore të Italisë, veçanërisht Sicilia, u goditën rëndë nga zjarret muajin e kaluar mes një vale rekord të të nxehtit, që erdhi nga Afrika nga anti-cikloni Charon, i cili mori viktima dhe shkaktoi dëme të shumta në të gjithë vendin.​​​​​​