“Iso mbi kalldrëm“, turistët në Shqipëri tërhiqen nga këngët polifonike

“Iso mbi kalldrëm “ titullohet aktiviteti i organizuar nga Bashkia e Gjirokastrës i cili po prezanton për artdashësit dhe turistët vlerat e traditës dhe këngës popullore, raporton EN. Çdo fundjavë të muajit gusht grupet e këngës polifonike do të performojnë përgjatë rrugëve të kalldrëmta të pazarit karakteristik, duke tërhequr edhe turistët që vizitojnë qytetin.

Tashmë vlerat e traditës dhe folklorit cilësohen si element më të veçantë për nxitjen e turizmit

“Është vërtet e veçantë që i huaji e çmon këtë këngë këtë monofoninë tonë pa orkestër i themi ne, është gjë e rrallë, turistët e çmojnë shumë”,-tha këngëtari popullor Arjan Shehu.

Turistët e huaj vlerësojnë folklorin dhe këngët popullore si pjesë të vyer të traditatave tona kombëtare

“Unë e pëlqej polifoninë, dhe gjithashtu pëlqej çdo gjë  historike të Shqipërisë, keni një histori shumëshekullore”,-tha turistja.

“Është shumë bukur kur këndojnë kështu. Ne jemi nga Australia, kam ardhur së bashku me motrën dhe gruan, kemi ardhur këtu, është diçka me vlerë që keni në Gjirokastër shumë e bukur”,-tha turisti.

“Ne në Australi akoma i mbajmë këto tradita, jam shumë e emocionuar sepse babai ishte shqiptar dhe ka emigruar kur ishte 16 vjeç, dhe tani që jemi këtu na kujtohet jeta e tij”,-tha turistja.

Përgjatë kësaj vere në qytetin e Gjirokastrës po zhvillohen aktivitete te shumta kulturore të cilat po tërheqin edhe turistët për të vizituar qytetin e gurtë.